25 Dhjetor 2024

Thellohet edhe me tej deficit tregtar i Kosovës arrin në 267 milionë euro

Prishtinë, 24 janar - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2017.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 8.5% në muajin dhjetor 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 267,8 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 246,9 milionë eurosh në vitin 2016. Eksporti mbulon importin me 9.9%.

Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2017 kishte vlerën 29,4 milionë Euro, ndërsa importi 297,3 milionë Euro, që është një rritje prej 20.2% për eksport dhe 9.5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 42.8% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.4% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.0% e përbëjnë produktet minerale; 5.9% e përbëjnë produktet bimore; 4.7% e përbën tekstili dhe artikujt prej tij, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.3% të importit e përbëjnë  produktet minerale; 14.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13.0% e përbëjnë mjetet e transportit; 8.7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 6.4% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 4.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 4.7% e përbëjnë produktet bimore; 4.0% e përbën tekstili dhe artikujt prej tij, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6,8 milionë Euro, ose rreth 23.3% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 35.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (6.2%), Holanda (3.9%), Britania e Madhe (3.6), Bullgaria (2.7%)  etj.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 137,6 milionë Euro, ose 46.3% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (14.6%), Italia (5.7%), Rumania (3.0%), Greqia (2.8%), etj.

Në muajin dhjetor 2017, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 11,9 milionë Euro, ose 40.5% të eksporteve të përgjithshme, që është një rënie prej (-0.5%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.7%), Maqedonia (9.6%), Serbia (5.5%), Mali i Zi (5.5%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin dhjetor 2017, arritën në 79,6 milionë Euro, ose (26.8%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.2%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (15.7%), Maqedonia (4.2%), Shqipëria (3.7%) dhe B&H (2.7%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 10,6 milionë Euro, ose 36.2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport vlen të përmenden: India (24.4%) dhe Zvicra (5.2%).
 
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 79,9 milionë euro, ose 26.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (9.6%) dhe Turqia (8.5%).

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)