Thellohet deficit tregtar, arrin në 216.9 milionë euro
Prishtinë, 30 shtator - Agjencia e Statistikave te Kosovës (ASK), publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin gusht 2015.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për muajin gusht 2015 prej 216.9 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 208.5 milionë euro në periudhën e njëjtët të vitit 2014. Eksporti mbulon importin 11.5%.
Eksporti i mallrave në muajin gusht 2015 kishte vlerën 28.3 milionë euro, ndërsa importi 245.2 milionë euro, ku shihet se ka një rënie prej (-14.4%) për eksport, si dhe një rritje prej (1.5%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 40.5% të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16.1% produktet minerale; 8.8% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.2% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.8% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 6.6% produktet bimore etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.5% të importit e përbëjnë produktet minerale; 14.9% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.0% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.4% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 6.9% produktet e industrisë kimike; 6.7% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.8% mjetet e transportit etj.
Partnerë kryesorë tregtarë, lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 29.9% për eksport dhe 42.1% për import; ndërsa, vendet e CEFTA-së marrin pjesë me 42.5% për eksport dhe 28.8% për import.
Përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Serbi (13.3%), Shqipëri (12.4%), Indi (9.5%), Maqedoni (9.2%), Belgjikë (8.9%) etj.
Ndërsa, përqindja më e madhe e importit është nga: Serbia (14.9%), Gjermania (10.3%), Turqia (9.6), Kina (8.6%), Italia (7.8%), Maqedonia (5.2%) etj.