29 Dhjetor 2024

Thaçi: Plani i vizionit ekonomik është model për vendet e rajonit

Prishtinë, 18 dhjetor - Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), ka mbajtur takimin e tetë njëherësh i fundit për këtë vit, ku u diskutuan një mori çështjesh, me theks të veçantë: ndryshimi i Ligjit të Prokurimi për Blerjen e Produkteve Vendore dhe Projektligji për Leje dhe Licenca.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se plani i vizionit ekonomik të Kosovës është model për vendet e rajonit. Ai shtoi se përmirësimi i raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes, si dhe reformat e vazhdueshme ekonomike shpreson të rrisin investimet e huaja.

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari – Lila, njëherësh kryesuese e këtij takimi, bëri një raportim për të arriturat, sfidat dhe mbarëvajtjen e takimeve të KKZHE-së:

“Ky këshill dëshmon se institucionet e Qeverisë së Kosovës janë thellësisht të angazhuara që të intensifikojnë edhe më tepër dialogun publiko-privat me komunitetin e biznesit”- theksoi ajo, duke treguar se me iniciativë të këtij Këshilli janë iniciuar një mori reformash dhe ndryshimesh ligjore, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të biznesit, forcimin e sektorit privat, si dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.


Gjatë këtij takimi nga Zyra e Kryeministrit u prezantua Projektligji për Licenca dhe Leje, ku u mor vendim të procedohet për aprovim në qeveri.


Më tutje, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, prezantoi reformat në lejet e ndërtimit, planifikimit hapësinor dhe legalizimin e ndërtimeve pa-leje. Gjithashtu, gjatë takimit të tetë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, u raportua mbi realizmin e planit të zhvillimit ekonomik. Ruzhdi Halili, drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik të Zyrës së Kryeministrit prezantoi një raport të shkurtër për të arriturat e vitit 2012, në lidhje me implementimin e Planit për Zhvillimi Ekonomik të Kosovës 2011-2014.


Një prezantim i thuktë, lidhur me ndryshimin e Ligjit të Prokurimit për Blerjen e Produkteve vendore në aspektin e integrimeve Evropiane, u bë nga ministrja Vlora Çitaku. Ajo tha se që nga sot mund të fillohet të punohet në këtë ligj, pasi shumica e vendeve kanë aplikuar këtë ligj gjatë negociatave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe pas saj. “Pra, ne mund të llogarisim një periudhë 2-3 vjeçare për zbatimin e këtij ligji”,  theksoi ajo.


Një temë e hapur në takimet paraprake nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane për çështjet e industrisë së rëndë u diskutua edhe sot. Kreu i Odës Amerikanë të Kosovës, Arian Zeka, bëri një prezantim lidhur me këtë çështje.

Në takim u vendos që të krijohet një grup teknik nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Financave, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe tri asociacione të biznesit (OEK,AmCham dhe AKB). Me kërkesë të Odës Ekonomike të Kosovës u diskutua edhe për krijimin e klubit të investitorëve të huaj.

Si pikë e fundit e rendit të ditës u diskutua edhe çështja e informalitetit, ku ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci, tregoi informata të sinkronizuara me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale se një numër i konsiderueshëm i përfituesve të skemës së granteve nga MBPZHR-ja  janë gjithashtu përfitues të ndihmës sociale.

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik është duke shërbyer si forum ku alternativat politike shtjellohen me palët e interesuara dhe ku dëgjohet zëri i komunitetit të biznesit, e që ndikon edhe në ngritjen e partneritetit me sektorin privat.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)