Të pasurit vazhdojnë të blejnë në dyqane të shtrenjta
Beverly Hills, 6 shtator - Ndërkohë që rritja e ngadaltë ekonomike dhe papunësia e lartë vazhdojnë të krijojnë strese në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, ekonomistët thonë se të pasurit e botës vazhdojnë të blejnë në dyqane të shtrenjta.
Beverly Hills qyteti i njohur i Kalifornisë është një shembull tipik dhe ne do tju njohim me industrinë e shitjeve me pakicë për të pasurit në këtë qytet.
Në zemër të Beverly Hills, turistët dhe të pasurit dynden në Rodeo Drive - një rrugë e njohur për butikat e saj me çmime mjaft të larta. Pikërisht këtu po e kalon javën e fundit në Amerikë C.C. Hong dhe familja e saj para se të kthehet në Malajzi.
Hong thotë se vlera relativisht e ulët e dollarit e ka bërë çdo gjë në Amerikë më të lirë se sa në Malajzi. Ajo sapo ka blerë një çantë dore Coach me një çmim që e quan mjaft të ulët.
\"E bleva 650 dollarë. Në Malajzi kjo mund të jetë dyfish më e shtrenjtë,\" thotë Hong.
\"Ky ka qenë në fakt një nga ata pak sektorë të ekonomsë që kanë ecur, kryesisht për shkak të konsumatorëve të pasur të cilët vazhdimisht shpenzojnë në këtë segment të shitjes me pakicë,\" thotë ekonomisti Armen Bedroussian, i Institutit Milken të Kalifornisë. Megjithatë, thotë ai, gjatë recesionit të fundit ekonomik, edhe të pasurit duket se janë frenuar pak në shpenzimet e tyre. Për shembull, në Beverly Hills stilistit Pol Atteu iu desh të pushonte të gjithë stafin e tij.
\"Në një moment, kisha mbi 35 njerëz që punonin për mua. Kam qenë shitësi numër një në dyqanet Saks, kam shitur edhe në Neiman Marcus,\" tregon Atteu.
Me recesionin që filloi në vitin 2008, Atteu u dha fund marrëdhënieve me ta.
\"Po të shikosh dyqanet e shtrenjta si Saks Fifth Avenue, Neiman Marcus, Nordstrom, ata e pësuan keq nga kriza, sepse klientët e tyre janë njerëz që kursejnë për të blerë gjëra firmato, pra për të kënaqur veten me mallra të tilla të shtrenjta,\" thotë David Winter, i cili punon në këshillin e marketingut të mallrave luksoze, organizatë që përfaqëson firmat më të mëdha në botë të këtij lloji.
Ai thotë se tani, klentë të këtij lloji kanë filluar të shpenzojnë përsëri. Ndërkohë, ai shton se klientët ultra të pasur të botës nuk janë prekur fare nga dobësimi i ekonomisë.
\"Ne vërejmë se çdo muaj, interesimi po bëhet gjithnjë e më i madh,\" thotë Xhejmi Adler, e cila ka në pronësi firmën Phyllis Morris, që merret me prodhimin dhe shitjen e mobiljeve luksoze.
\"Shtretërit këtu fillojnë nga 20.000 dollarë dhe mund të shkojnë deri në 60 ose 70,000, në varësi të përmasave dhe të materialit të përdorur.\"
Adler thotë se edhe pse klientët e saj amerikanë i ndalën shpenzimet në vitin 2008, biznesi i saj jashtë vendit është rritur.
\"Unë mendoj se dollari është bërë më tërheqës dhe interneti lejon që produktet të ekspozohen në të gjithë botën.\"
\"Dyqanet e shtrenjtë, edhe kur pësuan rënie në Evropë dhe në Amerikë, kanë ecur mirë dhe vazhdojnë të ecin mirë në Rusi, Indi, Kinë, Brazil. Këto janë vendet që po luajnë rol kryesor në ekonominë e sotme botërore.\"
Por Armen Bedroussian paralajmëron se shqetësimet e fundit ekonomike do të ndihen edhe në industrinë e mallrave të luksit.
\"Në të ardhmen e afërt, paqëndrueshmëria e tregjeve, sidomos pas uljes së klasifikimit për kreditin amerikan, si dhe me krizën evropiane të borxhit, të gjitha këto do ti dëmtojnë shitjet në të ardhmen e afërt. Megjithatë, mendoj se dëmi duhet të jetë shumë më i madh që të mund të ndihet te segmenti i mallrave luksoze. \"
David Winter thotë se ultra të pasurit në të vërtetë janë duke përfituar nga rënia ekonomike. Dhe ata nuk po blejnë vetëm rroba firmato, por edhe po investojnë në prona të patundshme.
\"Janë ultra të pasurit që po blejnë me para në dorë dhe janë pikërisht ata që po blejnë dhjetëra shtëpi në të njëjtën kohë, sepse çmimet tani kanë rënë shumë. Pra të pasurit po pasurohen më shumë.\"
Blerësja C.C. Hong nga Malajzia nuk ka ardhur në Beverly Hill vetëm për të blerë çanta. Ajo po shikon edhe mundësinë për të investuar në pasuri të patundshme.