Të Bërit Biznes udhërrëfyes dhe stimulim i fuqishëm për qeverinë
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Raporti i Bankës Botërore të Të Bërit Biznes paraqet një udhërrëfyes dhe stimulim të fuqishëm për qeverinë, që të ndërmarrë reformat e nevojshme për përmirësimin e mjedisit afarist.
Ajo më tej shtoi se në vitin 2015 Kosova është ranguar në vendin e 66-të në botë, për lehtësinë e të bërit biznes, duke vazhduar progresin i cili është bërë gjatë viteve të kaluara në këtë raport dhe në rritjen e lehtësisë së të bërit biznes në përgjithësi.
"Rezultatet dhe rangimi në Raportin e të Bërit Biznes është ngushtë i ndërlidhur me prosperitetin e përgjithshëm ekonomik, luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e qeverisjes, theksoi ministrja Bajrami.
Po ashtu, ajo nënvizoi se avancimi në procesin integrues në Bashkimin Evropian dhe implementimi i suksesshëm i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim janë faktorë shtytës që do të reflektojnë pozitivisht në përmbushjen e këtij synimeve nacionale.
Ajo potencoi edhe njëherë se Qeveria e Kosovës ka iniciuar procesin e koordinimit të reformave për Të Bërit Biznes në mënyrë që të identifikojë sfidat dhe të ndërmarrë veprimet për përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit afarist në përputhje me metodologjinë e Raportit të Bankës Botërore Të Bërit Biznes.
Është funksionalizuar Task Forca për Të Bërit Biznes, që udhëhiqet nga MTI-ja dhe janë caktuar pesë ministri udhëheqëse për analizimin, identifikimin dhe implementimin e aktiviteteve të nevojshme që potencialisht çojnë drejt përmirësimeve të mëtejshme në dhjetë indikatorët e Raportit të Bankës Botërore, u shpreh ministrja Hykmete Bajrami.
Me theks të veçantë, ajo përmendi edhe angazhimin gjithëpërfshirës të Qeverisë së Kosovës në përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit afarist dhe tha se synimi mund të arrihet vetëm nëse kemi bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë dhe sektorit privat.
Ministrja Bajrami, po ashtu ri-përmendi përkushtimin e saj dhe të Qeverisë së Kosovës se kërkesa dhe inkurajimi ynë për sektorin privat është që të marrë pjesë aktive në këtë proces, duke u bërë kontribuues në Raportin e Bankës Botërore për të Bërit Biznes.
Në konferencë u prezantua puna e të gjitha grupeve punuese sa i përket adresimit të detyrave, përkatësisht reformave të ndërmarra deri tani në procesin e përmirësimit të ambientit të të bërit biznes sipas indikatorëve të Raportit të Bankës Botërore.
Në konferencë pati edhe sugjerime dhe rekomandime nga përfaqësuesit institucional dhe nga mekanizmat tjerë që ndërlidhen me aktivitetet e Raportin e Bankës Botërore Të Bërit Biznes rreth reformave që janë ndërmarrë dhe që duhet të ndërmerren për të përmirësuar edhe më shumë ambientin afaristë në Kosovë, e që do të ndikojë në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit.