Tarifa prej 100% nuk është shtylla e zhvillimit ekonomik në Kosovë
Prishtinë, 22 janar - Sot u mbajt tryeza e diskutimit e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës e cila pati për qëllim diskutimin mbi efektet e tarifës doganore prej 100% ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, në ekonominë e vendit tonë. Në fund të vitit të 2018 qeveria miratoi vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që fillimisht t’u vendoset masa prej 10% e pastaj prej 100% ndaj dy shteteve, Serbisë e Bosnjës dhe Hercegovinës, tarifë kjo e cila erdhi si kundërpërgjigje për agresivitetin e Serbisë ndaj Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve- Astrit Panxha u shpreh që Klubi ka bërë një analizë mbi efektet e tarifës nga të dhënat reale të marrura nga Dogana e Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës si dhe Banka Qendrore e Kosovës, për një periudhë mbi një vjeçare, pasi që studimet e deritanishme tre mujore nuk japin rezultatet e duhura.
‘Nuk i kemi analizuar aspektet politike, por vetëm ato ekonomike përgjatë analizës sonë. Ajo çka mund të përfundojmë është se ka impakt pozitiv nga tarifa, dhe çka mund të konkludojmë është se Kosova mund të mbijetoj edhe pa Serbinë, të mbështetet në produktet e veta dhe me tregtinë me vendet mike të saj’- tha Panxha.
Fejzulla Mustafa, pronar i kompanisë Fluidi tregoi që tarifa ka dhënë një efekt pozitiv tek prodhuesit në përgjithësi, por edhe për kompaninë e tij. ‘Tek ne kemi pasur ngritje të shitjes së vajit Floil, i cili ka qenë i shumë i konkurrueshëm më parë nga disa vajra që vinin nga Serbia.’ U shpreh z.Mustafa. Ai po ashtu kërkoi që të vazhdohet vetëdijesimi i konsumatorëve për konsumimin e produkteve vendore edhe pas tarifës. ‘Ne si prodhues nga Kosova jemi të bojkotuar nga konsumatorët serb, e jo vetëm nga shteti serb. Prandaj kërkojmë edhe nga konsumatorët tanë të kenë të njëjtin vetëdijesim.’ – u shpreh ai.
Ndërkaq, Gojart Kelmendi nga kompania Flutra, tregoi që sipas të dhënave sektori i përpunimit të letrës ka shënuar rritje prej 25% që nga tarifa. E kjo ngritje ka ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit. ‘Tarifa ka treguar që përpos që e kemi mbuluar tregun e vendit, e kemi rritur konkurrueshmërinë edhe për eksport.’-tha Kelmendi.
z.Kelemndi gjithashtu kërkoi nga qeveria e ardhshme që të kenë kujdes me sektorin e prodhimit, i cili bartë barrën kryesore të punësimit dhe mirëqenies ekonomike të qytetarëve.
Kurse ekonomisti Muhamet Mustafa, u shpreh që rritja e qëndrueshme ekonomike e vendit varet vetëm nga rritja e prodhimeve vendore. Ai u shpreh që taksa ka pasur efekte pozitive, ku ka përfituar buxheti i shtetit dhe shkalla i inflacionit ka qenë e vogël. Ai po ashtu kërkoi që problemet politike të mos ndikojnë në zhvillimin e politikave ekonomike.
‘Efektet janë të rëndësishme dhe tregojnë që me politika aktive në mbështetjen e prodhuesve vendor mund të shkojmë në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Kosova duhet të ndërtojë politika aktive për prodhuesit vendor. Sot sektori i prodhimit është në konkurrencë të pabarabartë me importin.’ – tha ai.
z.Mustafa gjithashtu kërkoi që në të ardhmen shteti ynë duhet të ketë më shumë dinjitet, nëse kemi barriera nga cili do shtet dhe që shkelin marrëveshjet ndërkombëtare duhet të reagojmë menjëherë.
Po ashtu u prezantua edhe anketa e qytetarëve për konsumimin e prodhimeve vendore.
Më poshtë është edhe një përmbledhje e raportit të paraqitur.
· Kosova vazhdon të ketë bilanc negativ tregtar në raport me partnerët e saj, megjithatë pas vendosjes së tarifës 100%, të dhënat tregojnë që në vitin 2019 importi ka pësuar rënie. Shprehur në numra, rritja vjetore nga viti 2017 në vitin 2018 ishte 11%, ndërsa në vitin 2019 rritja vjetore e importit ishte vetëm 4%. Ndërkaq, eksportet kanë shënuar një rritje prej 6%, gjatë vitit 2019. (Burimi: Dogana e Kosovës)
· Për herë të parë që nga paslufta vëllimi i importit ka shënuar rënie. Gjatë kësaj periudhe vëllimi i importit ka shënuar rënie prej 50milion ton. Kjo rënie mund të interpretohet me rritjen e prodhimit vendor dhe uljen e kërkesës për import. (Burimi: Dogana e Kosovës)
· Efekti i tarifës vërehet edhe në kuadër të importit të lëndës së parë, deri tash Kosova kishte varësi të madhe për lëndë të parë nga Serbia, ku 26 milion euro nga totali i 111 milion euro të importit të lëndës së parë vinte nga Serbia. Kjo varësi është shmangur, pasi që një pjesë të madhe të saj është zëvendësuar nga prodhimi vendor dhe partnerët e saj. (Burimi: Dogana e Kosovës)
· Edhe në aspektin e investimeve kapitale në prodhim, më saktësisht në blerjen e makinerive të reja për prodhim ka një rritje të konsiderueshme në raport me vitet paraprake. Përderisa në vitin 2017 dhe në vitin 2018 kishte vetëm 45milion euro, respektivisht 46milion euro, në vitin 2019 vlera e investimeve në makineri shkoi në 56 milion euro. (Burimi: Dogana e Kosovës)
· Për më tepër, sa i përket financimit të sektorit prodhues vërehet një rritje e dukshme e kreditimit të sektorit prodhues, që është më i madhi për këtë vit e që sipas BQK-së, arriti vlerën e 260 milion eurove në nëntor të vitit 2019, kundrejt 208 milion sa ishte në vitin 2018. Rritje të tillë e vërejmë edhe në sektorin e bujqësisë, ku rritja ishte 13.2% më shumë se vitin e kaluar. Kreditimi i sektorit të prodhimit ka ndikuar edhe në rritjen e konfidencës së prodhuesve dhe rritjen e investimit në sektorin e prodhimit. Për herë të parë, pas shumë vitesh ka rënie në kreditimin e sektorit të tregtisë prej 0.4%. (Burimi: Banka Qendrore e Kosovës)
· Përveç përfituesve të tregut të brendshëm, Kosova ka arritur të zëvendësoj importet e produkteve nga Serbia me partnerë të tjerë tregtarë. Përfituesit e këtij ndryshimi ishin shtet si Turqia, që ka rritjen më të madhe të tregut e përcjellë nga Greqia, Bullgaria dhe Gjermania. Kosova ka treguar që nuk ka varësi nga Serbia sa i përket furnizimit me produkte dhe që nga vendosja e tarifës partner kryesor i ka shtetet mike të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës.
· Në mostrën prej top 20 produkteve më të importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, vlera e zëvendësuar me produkte vendore është e barabartë me 40.6 Milion Euro. E ku industritë të cilat kanë përfituar më së shumti janë industria e metalit dhe ajo e qumështit, konditoria, si dhe produktet farmaceutike. (Burimi: Dogana e Kosovës)
· Një indikator tjetër i efektit pozitiv të tarifës është edhe rritja numrit të punësuarve në sektorin e prodhimit. Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në tremujorin e tretë të vitit 2018 ishin të punësuar 36.7 mijë punëtorë, ndërkaq në periudhën e njëjtë të vitit 2019, numri ti të punësuarve u rrit në 48.2 mijë punëtorë. Kjo vjen si pasojë rritjes së kërkesës për produkte vendore që ka rezultuar në rritjen e kërkesës për fuqi punëtore. Me rritjen e numrit të të punësuarve, ritet edhe fuqia blerëse, rriten taksat si dhe zvogëlohen kostot e shtetit për asistencë sociale. (Burimi: Agjencia i Statistikave të Kosovës)
· Mirëpo, për shkak të vendosjes së tarifës prej 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, shteti serb ka vendosur masa bllokuese ndaj eksporteve të Kosovës. Këto masa bllokues janë aplikuar në formë të barrierave jo-tarifore dhe kanë ndikuar në uljen e eksportit të Kosovës drejt Serbisë për rreth 50%.
· Nga muaji janar deri në muajin maj pati një ngritje të vogël të inflacionit, kjo erdhi si rezultat i spekulimeve të tregtarëve për të përfituar në çmime si dhe nga kosto e lartë e nënshkrimit të kontratave afatshkurtra për furnizim. Pas muajit maj vërehet një ulje e moderuar e inflacionit, dhe në tre muajt e fundit të vitit 2019 inflacioni shënoi një mesatare prej 1.7%.