Taksa e importit godet çimenton me markë shqiptare
Tiranë, 18 qershor - Konfindustria deklaron se taksa prej 35 për qind e vendosur nga Ministria e Tregtisë së Kosovës për importin e çimentos godet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe para së gjithash eksportin e çimentos me çertifikatë të origjinës së Shqipërisë.
Administratori i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku shpreh shqetësimin për vendosjen e kësaj takse të importit të çimentos, duke i bërë thirrje kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, Qeverisë dhe vendimmarrjes politike në Kosovë, që në një kohë sa më të shpejtë të ndërhyjnë për heqjen e taksës së importit për çimenton dhe njëkohësisht të mos lejojnë përsëritjen e masave të tilla me pasoja të dëmshme dhe në afat të gjatë për zhvillimin e Kosovës, Shqipërisë dhe mirëqenien e të gjithë shqiptarëve.
Konfindustria vë në dukje se i njëjti qendrim institucional është mbajtur ndaj masave të Qeverisë së Shqipërisë në rastin e vendosjes dhe zbatimit të çmimit të referencës penguese për prodhimet bujqësore të Kosovës.\"
Konfindustria i ka kërkuar personalisht dhe publikisht Kryeministrit të Shqipërisë për heqjen dhe mospërsëritjen në asnjë rast në të ardhmen të çfarëdo mase penguese për tregtinë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Konfindustria vlerëson, se përdorimi i pengesave doganore në tregtinë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është krejtësisht i papranueshëm dhe mjaft i dëmshëm para së gjithash për qëllimin strategjik të krijimit të Tregut të Përbashkët Mbarëshqiptar si domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e shqiptarëve pa përjashtim.
\"Aq më shumë krijimi i Tregut Mbarëshqiptar është i rëndësishëm në kushtet e krizës globale ku mbijetesa e industrive dhe prodhimeve vendore është e pamundur në tregjet e vogla sikurse është rasti i Shqipërisë dhe Kosovës, thekson Buxhuku.
Konfindustria nënvizon se masat penguese të tregtisë sidomos për prodhimet industriale janë në kundërshtim të plotë me marrëveshjen CEFTA për Tregti të Lirë ndërmjet vendeve të Europës Juglindore të nënshkruara nga Kosova dhe Shqipëria si dhe njëkohësisht janë barrë financiare shtesë e drejtpërdrejtë për biznesin dhe qytetarët.