Takimi i FMN-së shton shqetësimet për një luftë monetare
Washington, 14 tetor - Shqetësimet për një luftë globale monetare janë shtuar pas takimit të drejtuesve financiarë në Fondin Monetar Ndërkombëtar këtë javë në Uashington.
Bisedimet për tregëtinë e pabalacuar dhe rritjen jo të njëtrajtshme për shkak të vlerës së ulët të monedhës, kanë shkaktuar diskutime rreth ndërhyrjeve të mundshme.
Analistët thonë se është një çështje që nuk ka të ngjarë të largohet nga vëmendja në një të ardhme të afërt.
Ndërsa vendet dalin nga recesioni, është bërë e qartë se disa prej tyre po mëkëmben më shpejt sesa të tjerat.
Në raportin e tij të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se rritja në vendet e zhvilluara do të vazhdojë të jetë e ngadaltë ndërsa ekonomitë me rritje të shpejtë, veçanërisht në Azi po lulëzojnë.
Javën e kaluar, presidenti i Bankës Botërore Robert Zellik paralajmëroi se kjo po shkakton fërkime.
E shohim këtë në debatin e monedhës; vendet e zhvilluara po lehtësojnë politikat monetare; disa vende në zhvillim po shtrëngojnë këto politika në përgjigje të rritjes; disa vende me sufiçit po ndërhyjnë për të ulur vlerën e monedhës për të rritur eksportet. Dhe kjo po shkakton tensione ndërkombëtare.
Dështimi i ministrave të financave për të gjetur zgjidhje javën e kaluar në Uashington ka thelluar ndarjen. Drejtori i FMNsë Dominil Shtraus-Kan.
Shumë po flasin për një luftë monetare. Po përdor një gjuhë pak të prerë. Por është e vërtetë se shumë vende e konsiderojnë monedhën e tyre si një armë dhe kjo sigurisht që nuk është mirë për ekonominë globale.
Shtetet e Bashkuara për shembull fajësojnë mbajtjen e juanit në vlerë të ulët për disbalancën tregëtare me Kinën.
Vende si Japonia dhe Brazili kanë kërcënuar të ulin vlerën e monedhës për të fituar avantazh në eksporte.
Ekonomisti Tobi Nandl thotë se ky është një problem i madh pa zgjidhje të lehtë.
Ky nuk është një problem që mund ti delegohet një organizate ndërkombëtare si FMN-ja. Është një problem që ka nevojë të trajtohet nga krerët e shteteve dhe ministrat e financave pasi ka efekte të mëdha në ekonominë e vendeve të ndryshme.
Mes tyre është Kina. Pekini ka premtuar fleksibilitet më të madh në vlerësimin e juanit. Por kryeministri Uen Gjiabao tha se kjo nuk do të ndodhë brenda natës.
\"Pa këtë stabilitet të juanit nuk do të ketë stabilitet të bizneseve, për punëdhënësit dhe njerëzit. Në se Kina ka probleme ekonomike dhe shoqërore, kjo do të ishte shkatërruese për botën\".
Ekspertët thonë se mosmarrëveshjet valutore janë shtuar ndërsa udhëheqësit botërorë përgatiten për takimin e G-20 në Korenë e Jugut. Nandle thotë se paralajmërimi i Brazilit mund të bëhet realitet.
\"Nëse nuk ka marrëveshje deri më 12 nëntor, ministri brazilian i financave mund të veprojë dhe kjo mund të sjellë një luftë monetare\", thote zoti Nandl.
Qeveritë mund të ulin vlerën e monedhës së tyre në mënyra të ndryshme që nga dhënia e mundësive që bankat të vendosin kufi në nivelin e këmbimit e deri tek blerja e valutave të huaja.
Ekonomistët thonë se luhatjet që rezultojnë nga këto praktika do të kenë ndikime serioze mbi tregëtinë, duke i bërë vendet të vendosin tarifa shtesë.
Ligje të tilla do të dëmtonin tregtinë dhe do të vononin mëkëmbjen ekonomike.