Tahiri: Serbia ka njohur vulat doganore të Kosovës
Prishtinë, 7 shtator - Në raundin e fundit të bisedimeve në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për njohjen reciproke të vulave doganore.
Kështu është shprehur shefja e ekipit negociues të Kosovës, Edita Tahiri e cila theksoi ndër të tjera se në këto bisedime është njohur vula doganore e Kosovës, që ky vend ka përdorur pas shpalljes së pavarësisë bashkë me emërtimin e vulës doganore që e ka propozuar Serbia.
Në pyetjen se a ka ndonjë dëshmi për pohimin se Serbia ka njohur vulat e Republikës së Kosovës, Tahiri është përgjigjur: Mund të kërkoni nga negociatori juaj Stefanoviç që t`ua japë tekstin e marrëveshjes dhe do të shihni. Unë medieve tona do t`ua paraqes tekstin, e po presim letrën zyrtare të Cooperit me tekstin zyrtar, është shprehur Tahiri në një intervistë.
Sipas saj, marrëveshja do të zbatohet në përputhje me rregullat e CEFTA-s, ku shtoi se Qeveria e Kosovës, në pikat 1 e 31 do të ketë përfaqësuesit e vet.
Pasi të jenë të gatshme palët, do të fillojë zbatimi i marrëveshjes e parimisht është marrë vesh që kjo të bëhet më 10 shtator kur dhe do të fillojë zbatimi i marrëveshjes për tregti të lirë, vijoi negociatorja për Kosovën.
Në pyetjen se kush do të kontrollojë mallin dhe automjetet, Tahiri është përgjigjur se kontrolli do të kryhet nga institucionet e Qeverisë së Kosovës, policia dhe dogana, por në këtë drejtim shton edhe bashkëpunimin me forcat ndërkombëtare të KFOR-it e EULEX-it.
Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë se është arritur marrëveshja vetëm për vulën dhe se marrëveshja është neutrale ndaj statusit, Tahiri ka thënë se që në takimin e parë është kërkuar që Serbia të njohë vulat ekzistuese në të cilat shkruante Doganat e Kosovës.
Ajo deklaron se Stefanoviç ka ofruar opsione të tjera si Vulat e EULEX-it, por përfaqësia e Kosovës nuk e ka pranuar këtë. Mendoj se Stefanoviç po i frikësohet opinionit në Serbi për ta thënë të vërtetën, përfundon Tahiri.