Standardet - çelës i integrimit të biznesit kosovar në tregun evropian

Prishtinë, 11 dhjetor - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) mbajti konferencën për shtyp me titull “Standardizimi i produkteve vendore: Shpërndarja dhe shitja e standardeve”. Konferenca ishte kulminim i projektit “Me produkte konkurrente drejt tregut evropian”që u implementua nga Instituti INDEP gjatë vitit 2018.
Pjesëmarrës në konferencë ishte Hafiz Gara, Drejtor në Agjencinë Kosovare të Standardizimit (AKS).
Në diskutim e sipër, Gara falenderoi INDEP-in për punën e bërë në fushën e standardizimit duke theksuar rëndësinë që ka përfshirja e shoqërisë civile në fusha më specifike, siç është ajo e standardizimit.
Më tutje Gara tha se fusha e standardizimit dhe infrastruktura e cilësisë, në përgjithësi, janë jashtëzakonisht të rëndësishme jo vetëm në përmbushjen e obligmeve që dalin nga MSA-ja, por edhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik.
“Ne presim që në pesë vitet e ardhshme të kemi dyfishim të shitjes së standardeve dhe për këtë shoqëria civile mund të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e standardizimit” – tha ai.
Gjatë konferencës u shpalosën edhe tre materialet që INDEP ka përgatitur si pjesë e implementimit të këtij projekti. Prezantimin e tyre e bëri Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore.
“Derisa dy punimet e para janë të natyrës së analizave të politikave publike, punimi i tretë është një udhëzues me informata të dobishme për bizneset që duan të investojnë në standarde” tha ai.
Më tutje Abazi theksoi se rëndësia e përmirësimit të kualitetit të produkteve vendore tani është më e dukshme se asnjëherë më parë dhe se për këtë, standardet ofrojnë një instrument të drejtëpërdrejtë për fuqizimin e prodhimit vendor.
Krahas punimeve, gjatë konferencës gjithashtu u prezantua një video promovuese për standardet e cila ka për synim të shërbej si motivim për bizneset që të investojnë në standarde të cilësisë.