Stambolli synon të jetë qendra financiare më joshëse e botës
New York, 2 tetor - Kryeministri Ahmet Davutollu në fjalën që mbajti në Konferencën e 7-të të Investimeve në Turqi, organizuar në New York nga Këshilli i Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK) tha se duan që ta bëjnë Stambollin qendrën financiare më joshëse të botës.
Biznesmenëve pjesëmarrës në këtë konferencë Kryeministri Davutollu u foli për vizionin e ekonomisë turke dhe u shpjegoi atyre arsyet përse duhet të investojnë në Turqi.
Kryeministri tha se vendet që e rrethojnë Turqinë janë të brishta, ndërsa shtoi se burimi i fuqisë që ka Turqia sot është demokracia turke, popullsia e re në moshë dhe hapësira gjeografike, ku gjendet ajo.
Shefi i qeverisë së Ankarasë tha se stabiliteti politik në vend do të vazhdojë në çdo mënyrë edhe pas zgjedhjeve legjislative të 1 nëntorit.
Davutollu përmendi krizën ekonomike globale, me të cilën po përballet bota, por pavarësisht vështirësive në tregjet financiare, shtoi ai, ekonomia turke ka arritur që të mbajë nën kontroll parametrat e caktuar të riskut.