Stabiliteti buxhetor dhe financiar rrit kërkesën për Bono të Thesarit
Prishtinë, 13 prill - Ministria e Financave ka bërë të ditur se Përmirësimi i mëtutjeshëm i stabilitetit buxhetor dhe financiar, rritja më e madhe e ekonomisë, përmirësimi i reputacionit të Kosovës në raport me partnerët e jashtëm dhe investitorët, janë disa nga faktorët që kanë bërë kërkesa për blerje të Bonove të Thesarit të Republikës së Kosovës të tejkaloj ofertën e afruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Në ankandin KV007-16, u ofertuan Bono Thesari 3-mujore në vlerë nominale prej 10 milionë euro. E tërë shuma do të shërbejë për ri-financimin e bonos të emetuar në janar 2016.
Megjithëse sipas Ministrisë së Financave në këtë ankand tregu shfaqi kërkesë për blerje në vlerë 17.8 milionë euro, u pranua vetëm shuma e shpallur paraprakisht, e që është 10 milionë euro.
Norma e interesit për këtë ankand ishte 0.22% vjetore, gjë që paraqet një dallim prej -25 pikësh bazë krahasuar me normën e interesit të ankandit të kaluar të bonove 3-mujore, e cila ishte 0.47%.
Një rezultat i tillë tregon që bizneset, Qeverinë e Kosovës e shohin si partner të sigurt për investimin e mjeteve të tyre.
Ministria e Financave është e përkushtuar dhe e vendosur që bashkë me partnerët e saj të punoj në forcimin e stabilitetit buxhetor dhe financiar të shtetit.