Soros, mes spekulantëve që përfitojnë nga rënia e euros
Prishtinë, 2 mars - Një grup i fshehtë i shefave të mëdhenj të fondeve financiare të Wall Street mendohet se është përfituesi më i madh i rënies së euros. Sipas disa njoftimeve në disa media, përfaqësuesit e bizneseve të investimeve të George Sorrosit kanë marrë pjesë në një darkë të veçantë, në një shtëpi private në Manhatan.
Zëdhënësi i Soros Fund Management tha se vetë investitori legjendar nuk ndodhej në atë darkë, por nuk e mohoi faktin e përfaqësimit aty të firmës së tij. Gjatë darkës, spekulatorët thuhet se kanë argumentuar se euroja ka shumë gjasa që të bjerë për të arritur në nivelet e dollarit.
Kjo monedhë ka qenë në një presion shumë të madh kohët e fundit, për shkak të krizës së borxhit të madh të Greqisë, si dhe shqetësimeve të së njëjtës natyrë në Portugali, Itali, Spanjë dhe Irlandë. Në këtë situatë spekulatorët kanë vënë baste të fuqishme në lidhje me rënien e euros, madje bëhet fjalë për miliona paund.
Në dhjetor, euroja vlente 1.51 dollarë në dhjetor, ndërsa aktualisht ajo vlen 1.34. Detajet e kësaj darke të veçantë kanë dalë disa ditë pasi Soros, shefi i Soros Fund Management, paralajmëroi në një artikull gazete se euroja mund të bjerë, pavarësisht se Bashkimi Europian mund të bjerë dakord për një marrëveshje për të shpëtuar Greqinë nga problemi i madh që ka me buxhetin.
Soros, i cili fitoi mbi 1 miliard dollarë nga një spekulim me paundin britanik në vitin 1992, beson se struktura e euros është e krisur. Sipas tij, edhe nëse ndihmohet Greqia, problem i madh është Spanja, Irlanda dhe Portugalia, sepse së bashku ato përbëjnë një porcion shumë të madh për tu ndihmuar.
Ai beson se pa iu dhënë Bashkimit Europian pushteti i taksimit dhe shpenzimeve për tërë zonën, monedha do të jetë e brishtë dhe e rrezikuar. Dy net më parë, Kryeministri grek, Papandreu, i ka goditur spekulantët të cilët ai i fajëson për pjesëmarrje në problemet e mëdha ku është zhytur vendi i tij.
Pas një vizite të inspektorëve ekonomikë të BE-së dhe ekspertëve nga FMN, ai tha para Parlamentit grek se frikërat më të mëdha në lidhje me ekonominë greke u konfirmuan. Greqia ndodhet në një gjendje të dëshpëruar për të rivendosur besimin e investitorëve. Në këtë kuadër, Papandreu tha: Tani ka vetëm një dilemë: do ta lëmë vendin që të falimentojë, apo do të reagojmë? Do të lejojmë spekulatorët që të na marrin frymën, apo do të marrim fatin në duart tona?
Ai bëri gjithashtu thirrje për më shumë ndihmë nga BE-ja, por deri më tani, BE ka ofruar vetëm mbështetje politike dhe jo ekonomike.
Megjithatë, aktualisht mes Athinës dhe Berlinit, që është edhe kryeqyteti i vendit më të fuqishëm ekonomikisht brenda BE-së, marrëdhëniet nuk janë të mira. Së fundi, një grup konsumatorësh grekë bëri thirrje dje për bojkotimin e produkteve gjermane, pasi një revistë gjermane e quajti Greqinë mashtruese.
Kjo luftë e re tregtare ndodh ndërsa Angela Merkel pranoi faktin se euroja është në një situatë të vështirë. Kjo ishte një deklaratë që ajo e bëri për herë të parë. Ajo foli në një revistë gjermane për situatën e rëndë.
Gjermania, deri më tani, ka bërë edhe kundërshtinë më të madhe ndaj Greqisë, për dhënien e një ndihme të mirëfilltë në parë, pasi në një rast të tillë qeveria gjermane do të ndeshte edhe në kundërshtinë e gjermanëve që nuk duan që institucione apo edhe vende të tjera të shpëtohen me paratë e tyre.
Edhe sondazhet e fundit flasin për një kundërshtim të gjermanëve për ndihmën. Pranimi i kancelares gjermane të vështirësisë në të cilën ndodhet euroja, për shkak të Greqisë, ka bërë që të rritet frika për shembjen e monedhës euro.