Snickers, Milky Way dhe Mars janë të sigurta për konsum
Prishtinë, 26 shkurt - Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës njofton qytetaret e Republikës se Kosovës si konsumatorë se produktet Snickers, Milky Way dhe Mars lejohen për konsum.
Pas gjurëmueshmerisë se plotë përmes inspektorëve të AUV-së është konstatuar se këto lloje të produkteve të cilat gjenden në tregun e Kosovës janë të prodhuara në Poloni dhe për të cilat nuk ekziston asnjë dyshim për përmbajtjen e grimcave të plastikës në këto çokollata.
Janë verifikuar të gjitha lendet e ngarkesave qe janë importuar në vendin tonë e po ashtu janë realizuar inspektime ne depot e importuesit dhe pikat shitëse ku nuk është evidentuar asnjë produkt i llotëve apo prodhuar në fabrikat në Holandë të cilat kanë qenë të përfshira në dyshim.
Inspektorati Sanitar i AUV-së ka hulumtuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm në të cilin përfshihen: certifikata e origjinës, certifikata shëndetësore e produktit( lëshuar nga autoriteti kompetent i vendit të origjinës), Certifikata e Inspektoratit Fitosanitar të AUV-së (lëshuar më rastin e kontrollit në kufij), DUD-i doganor, faturat e mallit, deklaratat e prodhuesit dhe importuesit. Përmes të gjitha këtyre dokumenteve është dëshmuar se produktet të cilat kanë hyrë ne vendin tonë nuk janë nga fabrikat e përfshira në problemet qe kanë ndodhur në disa vende tjera.
Ato dokumente dëshmojnë se produktet janë të kontrolluara sipas procedurave ligjore e po ashtu dëshmojnë sigurinë e produktit për konsum.
Andaj bazuar në ligjet në fuqi dhe inspektimet e realizuara nga inspektorët për këto produkte, vërtetohet se ato janë të sigurta për konsum dhe konsumatorët nuk duhet të kenë asnjë shqetësim me rastin e blerjes apo konsumit.
AUV gjithmonë do të ngritë nivelin e kontrollit mbi secilin dyshim qe shfaqet, do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme dhe vetëm atëherë kur konstaton se produktet i plotësojnë kushtet për konsum atëherë i lëshon për qarkullim në treg.