Sllovenia do të ndihmojë Kosovën në shkëmbimet tregtare
Prishtinë, 9 shtator - Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka vlerësuar pozitivisht pjesëmarrjen në konferencën ndërkombëtare Shteti si pronar-Politika e pronësisë, ekzekutimin i interesave të shtetit dhe nxitja e dialogut publiko privat në Slloveni, ku ka pasur takime me delegacione nga 15 shtete të botës, ndërkohë që për shkak të pranisë së Kosovës konferencën e bojkotoi Serbia.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka vlerësuar se pjesëmarrja e AKB-së në këtë konferencë ndërkombëtare ka qenë një rast i mirë për shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e statutit të ndërmarrjeve publike ne Kosovë.
Qëllimi i kësaj konference, në të cilën kanë marrë pjesë 40 shtete, ishte diskutimi i përparësive të organizimit të pronësisë shtetërore dhe shkëmbimi i praktikave mes shteteve të ndryshme, ka thënë ai.
Shahini ka bërë të ditur se janë takuar me 15 delegacione të ndryshme të botës, si me kryetarin e parlamentit slloven, ministrin e Financave të Sllovenisë.
Ne kemi marr shumë përkrahje nga shumë delegacione, Sllovenia është e gatshme që të ndihmojë Kosovën në këtë drejtim, ka thënë Shahini.
Ai ka bërë të ditur se pjesëmarrja e Kosovës në këtë konferencë ndërkombëtare nuk i ka pëlqyer Serbisë, delegacioni i së cilës ka bojkotuar takimin.
Prania e delegacionit kosovar kishte hidhëruar ambasadorin e Serbisë në Slloveni Fredrart Filipov, me të kuptuar se AKB-ja do të jetë pjesëmarrëse në këtë konferencë ndërkombëtare, gjë që neve na vjen shumë mirë dhe jemi shumë krenarë që kemi përfaqësuar Kosovën në këtë konferencë ndërkombëtare, ka thënë Shahini.
Po ashtu, delegacioni nga Kosova, ka njoftuar pjesëmarrësit e tjerë edhe për procesin e privatizimit, ku kanë ftuar investitorët që të shikojnë Kosovën si mundësi për të investuar.
Konferenca ndërkombëtare Shteti si pronar-Politika e pronësisë, ekzekutimin i interesave të shtetit dhe nxitja e dialogut publiko privat është mbajtur nën përkujdesjen e Ministrisë së Financave të Sllovenisë në kryeqytetin Lubjanë, më 5 dhe 6 shtator.