Shumica e grave nuk marrin pjesë në tregun e punës
Prishtinë, 4 maj - Sot, Instituti GAP ka mbajtur tryezën e rrumbullakët ku prezentoi analizën Diskriminimi në Tregun e Punës Ndikimi i Konkurseve në Pabarazinë Gjinore.
Nora Latifi - Jashari, Drejtoreshë ekzekutive në Institutin GAP, theksoi se shumica e grave nuk marrin pjesë në tregun e punës apo vetëm një në pesë gra në moshë të punës është aktive në tregun e punës. Nga të dhena zyrtare shohim se gratë janë më të shumta në numër që përfundojnë studimet universitare dhe se gratë janë pothuajse njejtë punëkërkuese sa burrat, por se prapë burrat punësohen më shumë në numër se gratë.
Arsyet kryesore pse ato nuk marrin pjesë në fuqinë punetorë janë obligimet familjare. Gjithashtu, barrierat tjera kanë të bejnë me ndarjen tradicionale të profesioneve ku në mënyrë specifike kërkohen burra për profesionet e burrave dhe gra per profesionet e grave si dhe barriera tjetër është tek gjuha diskriminuese e shpalljeve për vende të punës.
Jeton Mehmeti, Drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP, prezantoi të gjeturat e analizës ku ndër të tjera tregoi se si gjuha e përdorur në konkurse si në sektorin publik dhe në privat ndikon në pabarazinë gjinore. Përkundër se Ligji për barazi gjinore i obligon punëdhënësit që me rastin e shpalljes së vendit të lirë të punës të shmangin elementet diskriminuese në bazë të gjinisë, në sektorin privat Ligji pothuajse nuk aplikohet, ku në mënyrë të drejtëpërdrejtë kërkohen gra ose burra për pozita të caktuara.
Nga 562 konkurse që Instituti GAP i ka analizuar, vërehet se në konkurset e bizneseve private për pozitat si asistente, shitëse, recepcioniste, pastruese kërkohen kryesisht gra, kurse në pozitat si menaxher, drejtor, inxhinier kërkohen kryesisht burra. Në anën tjeter, në sektorin publik gratë mbesin më pak të përfaqësuara në pozita të larta drejtuese, kjo për shkak se konkurset për këto pozita përmbajnë gjuhë të kodifikuar mashkullore e cila i dekurajon gratë për të aplikuar. Kjo argumentohet edhe me faktin se 94. 6 % e pozitave të nivelit të lartë drejtues në Qeveri, Kuvend dhe Presidencë dominohen nga burrat.
Z. Tefik Mahmuti, Drejtor i departamentit të administrimit shërbimit civil, shtoi se deri më tani nuk kemi pasur asnjë ankesë se gjuha e konkurseve ka paraqitur pengesë për aplikantë në konkurset e shërbimit civil të Kosovës. Megjithatë, tani jemi në fazën e plotësim-ndryshimit të legjislacionit mbi shërbimin civil ku do të shohimin mundësinë për inkuadrimin e rekomandimeve të kësaj analize, shtoi z. Mahmuti.
Znj. Linda Gusia, eksperte e çështjeve gjinore, theksoi se kjo analizë është shumë e rëndësishëm edhe unike pasi që çështja e përdorimit të gjuhës diskriminuese në konkurse nuk është trajtuar asnjëherë. Ky raport në mënyrë të qartë ka dokumentuar dhe ka prekur anën e padukshme se si përdorimi i gjuhës luan një rol të rëndësishëm në punësim.
Znj. Linda Gusia, eksperte e çështjeve gjinore, theksoi se kjo analizë është shumë e rëndësishëm edhe unike pasi që çështja e përdorimit të gjuhës diskriminuese në konkurse nuk është trajtuar asnjëherë. Ky raport në mënyrë të qartë ka dokumentuar dhe ka prekur anën e padukshme se si përdorimi i gjuhës luan një rol të rëndësishëm në punësim.
Në diskutim morrën pjesë edhe përfaqësues të tjerë nga zyrat për barazi gjinore të nivelit qendror dhe lokal dhe pjestarë të shoqërisë civile.