Shtohet interesimi për Letrat me Vlerë të Republikës së Kosovës
Prishtinë, 20 janar - Ministria e Financave më 20 janar ka mbajtur Ankandin e radhës për emetimin e Letrave me Vlerë të Republikës së Kosovës Ankandi KV002-15, ku norma e interesit ishte 1.97% vjetore, gjë që paraqet një zvogëlim prej 12 pikësh bazë krahasuar me normën e interesit të ankandit të fundit 6-mujor, e cila ishte 2.09%.
Në këtë ankand u ofertuan 20 milionë euro Bono Thesari 6-mujore me qëllim ri-financimin e 13.32 milionë eurove të emetuara në korrik 2014.
Ndërsa, kërkesa nga tregu ishte sa dyfishi i ofertës në vlerë nominale prej 41.78 milionë euro, kurse ne e pranuam shumën e ofertuar prej 20 milionë euro.
Investimi në Letra me Vlerë paraqet alternativë të mirë investimi për të gjithë kursimtarët, të cilët mund të përfitojnë nga siguria e lartë dhe normat e leverdishme që ofron ky lloj investimi.
Ministria e Financave është e përkushtuar në zhvillimin e tregut të Letrave me Vlerë dhe do të vazhdojë të ofrojë edhe instrumente të reja përgjatë këtij viti fiskal. Shtimi i interesimit nga tregu për Letrat me Vlerë e dëshmon se ky treg, megjithëse i ri, po zhvillohet me hapa të shpejtë.