Shqipëria rrit shkëmbimet tregtare me Kosovën
Prishtinë, 1 tetor - Eksportet e Shqipërisë pësuan rritje të dukshme edhe në muajin gusht me Kosovën, ku ndikimin kryesor e dha rifillimi i eksportit të çimentos, krahasuar me një vit më parë.
Vetëm eksportet e gushtit të sivjetshëm zunë rreth 20 për qind të eksporteve të realizuara në tetëmujorin, janar-gusht.
Gjatë muajit gusht, sipas të dhënave të INSTAT, eksporti u rrit me 34 për qind, krahasuar me gushtin 2011, duke arritur në 2.24 miliardë lekë.
Pavarësisht, ndërprerjes për disa muaj të eksportit të çimentos drejt Kosovës, një prej produkteve më me peshë pas hekurit e naftës, ritmet e rritjes së eksporteve drejt fqinjit verior ishin disa herë më të larta se rritja e eksporteve shqiptare në tërësi.
Kosova përbën interes për shkak të kostove të ulura të transportit dhe \"etjes\" së tregut, veçanërisht për materiale ndërtimi e hidrokarbure.
Nga kompanitë e prodhimit të çimentos mësohet se prej dy muajsh ato kanë rifilluar të eksportojnë në nivelet e mëparshme për sasitë, por me çmim më të ulët, njofton RD.
Por ndryshe ka ndodhur me importet me Kosovën. Vlera e importeve nga Kosova u rrit 4 për qind me një vlerë 3.13 miliardë lekë.
Sivjet tregtia me Kosovën në raportet eksport-import dëshmon rritje. Në periudhën janar-gusht 2011 u arrit vlera prej 3 miliardë lekë për eksportet dhe 8.7 miliardë lekë për importet, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2011 vlera e këmbimeve tregtare llogaritet në eksportet me 3.12 miliardë lekë dhe për importet në 10.8 miliardë lekë. /