Shqipëria në deflacion
Tiranë, 13 mars - Indeksi i Çmimeve të Konsumit shënoi një rritje minimale me 0.6 për qind gjatë muajit shkurt, ecuria më e keqe në një dekadë, njoftoi të Martën Instituti i Statistikave.
Çmimet e mallrave ushqimore shënuan një rënie vjetore prej 1.2 për qind, udhëhequr nga zarzavatet, të cilat kushtojnë 21 për qind më lirë se vjet. Më pak kanë kushtuar edhe veshjet e këpucët ndërsa rritja më e madhe vërehet te grupi i transportit me 5.7 për qind.
Gjatë muajit Shkurt çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.7 përqind dhe çmimi i benzinës një rritje prej 1.9 përqind. Indeksi i grupit Mallra dhe shërbime të ndryshme shënoi një rritje prej 6.1 përqind rritje kjo që ka ardhur si rezultat i dyfishimit të tarifave të sigurimit të automjeteve, njoftoi INSTAT.
Shqipëria e ka objektivin e inflacionit 2-4 për qind në vit dhe një inflacion nën 1 për qind konsiderohet situatë deflacioniste nga Banka e Shqipërisë.
Shkaku kryesor i rënies së çmimeve lidhet me uljen e konsumit nga popullata si pasojë e krizës.