24 Dhjetor 2024

Shqipëria hapa prapa në të bërit biznes

Tiranë, 22 tetor - Shqipëria humbi pesë vende në renditjen e të bërit biznes 2012, një indeks ky i hartuar nga Banka Botërore, për shkak se ekspertët e BB e konsideruan si negativ një ligj të ri të qeverisë që përqendron lejet e ndërtimit në duart e administratës qendrore, duke e vështirësuar edhe më shumë marrjen e një lejeje ndërtimi, e cila sakaq qe shumë e vështirë në vendin tonë.

BB e renditi Shqipërinë të 82-ën nga 183 vende në vlerësimin e saj që shtron pyetjen se sa e lehtë është të bësh biznes në një vend.

Rënia më e madhe u shënua në treguesin e lehtësive të pranishme në procesin për marrjen e një lejeje ndërtimi. Shqipëria renditej sakaq në vend të 176 vitin e kaluar dhe ra praktikisht në fund të listës duke u renditur e 183-a nga 185 vende.

Përmirësimi më i madh u shënua në regjistrimin e pronave, ku Shqipëria fitoi 8 vende.

Shqipëria renditet ende e 118-a në botë në këtë sektor, pavarësisht përmirësimit. Ecuri negative u shënua te procedurat për nisjen e një biznesi, pagesa e taksave, lehtësitë për marrjen e një kredie.

Indeksi i të bërit biznes i Bankës Botërore është kritikuar nga ekonomistë të fushës së ekonomisë krahasuese në të gjithë botën për pasaktësi të konsiderueshme qoftë konceptuale, qoftë praktike, gjë që e ka reduktuar peshën e këtij indeksi në politikbërje apo në vëmendjen që merr nga media dhe publiku i gjerë, qoftë në rastet kur raporton përmirësim, qoftë në rastet kur raporton përkeqësim.

Kështu, disa vite më parë, Shqipëria rezultoi e 11-a në botë në treguesin e mbrojtjes së aksionerëve të vegjël në kompanitë aksionere për shkak se kishte miratuar një ligj.

Për hartuesit e projektit nuk pati rëndësi fakti që Shqipëria nuk ka bursë dhe rrjedhimisht nuk ka aksionerë minoritarë dhe se mbrojtja ligjore e aksionerëve që nuk ekzistojnë nuk ka shumë rëndësi praktike.

Megjithatë, raporti i të bërit biznes ka shërbyer si një denoncues i vlefshëm në rastin e Shqipërisë, pasi ka kritikuar qeverinë në çështje të ndjeshme si manipulimet e zyrtarëve me lejet e ndërtimit apo me regjistrimin e pronave.

Shqipëria rezulton gjithashtu një vend shumë i keq për të paguar taksat, renditet e 152-a në botë, duke nxjerrë kështu të pavlefshme pretendimet e qeverisë për lehtësim të procedurave fiskale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)