Shqipëri, rritja e imporit të veturave rrit shitjet e naftës
Tiranë, 5 maj - Ndërsa në tregjet e huaja konsumi i naftës është frenuar ndjeshëm për shkak të rënies së fuqisë blerëse, në Shqipëri po ndodh e kundërta.
Nga 3-mujori i fundit i 2011-ës dhe në vijim çmimet e nënprodukteve të naftës kanë njohur rritje. Në këtë trend po ecën edhe tregtimi i tyre me pakicë, që nuk ka pasuar rënie. Ekspertët e lidhin këtë fakt me një shtim në rritje të dukshme të përdorimit të automjeteve në vend.
Sipas INSTAT-it, në 3-mujorin e fundit 2011 shitja me pakicë e karburanteve u rrit me 35%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.
Gjithashtu statistikat treguan se në 3-mujorin e fundit 2011 importi i makinave u rrit ndjeshëm dhe për pasojë, edhe çmimi i tyre në treg pësoi ulje.
Në periudhën tetor-dhjetor 2011 u importuan 19.153 automjete, nga 3.956 që hynë në të njëjtën periudhë të 2010-ës dhe lidhet me riformulimin e taksave që paguhen për makinat e importuara, ku është përjashtuar pagesa e doganës.
Ndërsa nga frika e krizës ekonomike rreth vendit tonë vërehet se në tregje janë ulur shitjet me pakicë për produkte të tilla si ushqimore, veshje, blerje pasurish të paluajtshme, shqiptarët nuk po tregohen aspak të kursyer në përdorimin e automjeteve, pavarësisht çmimeve të larta të karburanteve.
Gjithçka ndodh ndryshe nga tregjet botërore, ku rritja e çmimit të naftës po shoqërohet me ulje të tregtimit me pakicë të karburanteve.