Shqipëri, rritet prodhimi dhe importet e vajit të ullirit
Tiranë, 4 gusht - Konsumi i vajit të ullirit në Shqipëri u rrit me 47 për qind në vitin 2010, duke përfituar nga një sezon i mbarë i prodhimit të ullinjve.
Lajmi bëhet i ditur nga raporti vjetor i Ministrisë së Bujqësisë. Prodhimi i vajit të ullirit u rrit në 7800 tonë, ndërsa importi i vajit ishte 1200 tonë. Konsumi mesatar për frymë rezultoi 3.4 kilogramë.
Shqipëria pati 4.3 milionë rrënjë ullinj në prodhim në vitin 2010, shifër kjo pothuajse e barabartë me vitin 2009, por rendimenti i prodhimit për rrënjë u rrit nga 11.4 kilogramë në 16.3. Rendimenti i ullinjve është shumë i luhatshëm në varësi të kushteve atmosferike. Ndodh që një vit, rendimenti të jetë 8 kilogramë për rrënjë, ndërsa një vit tjetër, dy herë më shumë.
Vlora, Fieri dhe Berati janë qarqet me numrin më të madh të ullinjve në prodhim në vend. Fieri dhe Vlora kanë nga 1 milion rrënjë, pasuar nga Berati me 779 mijë.
Shqipëria eksportoi vetëm 16 tonë vaj ulliri, ose 0.2 për qind të prodhimit të saj vitin e kaluar. Eksporti i këtij produkti është në kufijtë e së pamundshmes për shkak të standardeve shumë të larta të vendosura nga Bashkimi Europian, i cili është njëkohësisht edhe konsumatori më i madh në botë.
Ndërkohë, preferenca e konsumatorëve duket se anon nga prodhimi i vendit. Shqipëria importoi vetëm 1200 tonë vaj gjatë vitit 2010, ose 13 për qind të konsumit.
Tregu botëror i vajit të ullirit dominohet nga Greqia, Italia e Spanja, të cilat përfitojnë nga rregullat e Bashkimit Europian mbi standardet dhe sigurinë ushqimore, por që në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse shmangin konkurrencën e mundshme nga vendet e tjera të Mesdheut, që kanë traditë po kaq të gjatë.
Ulliri është një produkt që ofron mundësi për vlerë të shtuar të konsiderueshme, ndryshe nga shumë produkte bujqësore, çmimet e të cilave me pakicë janë jo shumë më të larta se sa kostot e prodhimit.
Që nga kontrolli mbi ullinjtë, të cilat mund të jenë mbjellë shekuj më parë, te përpunimi nëpër fabrika vaji, ambalazhimi dhe marketingu, tregu i vajit është sa joshës për nga fitimet, aq edhe i vështirë.
Në Shqipëri ekzistojnë me mijëra fermerë që kanë nën pronësi numër të kufizuar ullinjsh. Fermerët shpesh parapëlqejnë ta mbajnë vajin për vete si një konservues vlere ushqimore për periudhën e dimrit, për shkak se ka mbi 8500 kilokalori për litër (kilokaloritë e nevojshme për konsumin e njeriut për katër ditë).
Grumbullimi i ullinjve, veçanërisht në vitet kur rendimenti për rrënjë është shumë i ulët, është një proces i vështirë dhe i kushtueshëm.
Rregullat e Bashkimit Europian kërkojnë që vaji të përpunohet sa më shpejt. Nga çasti i vjeljes deri te përpunimi duhet të kalojnë 2-3 orë, përndryshe niveli i aciditetit rritet më shumë se sa normat e lejuara. Kjo gjë detyron që fabrikat e vajit të ullirit të jenë të vogla dhe të vendosura sa më pranë ullishtave të jetë e mundur.
Në Shqipëri ka 133 fabrika të vajit të rafinuar, nga të cilat 129 janë të vogla dhe kanë një apo dy punëtorë të deklaruar. Fabrikat e vogla e bëjnë të vështirë krijimin e markave dhe reklamimin e tyre, gjë që e kthen vajin në një produkt pa shumë vlerë të shtuar.
Kompleksiteti i prodhimit të vajit të ullirit dhe vlera e madhe tregtare e tij ka bërë që historikisht në këtë aktivitet të ketë tendencë për organizata të dhunshme.
Në shekullin e parë pas Krishtit, mafia e prodhuesve spanjollë të vajit arriti të kontrollojë të gjithë pushtetin e perandorisë romake përmes perandorit Adrian.
Në shekullin e 19, tregtia e vajit ishte një nga faktorët që krijoi grupimet kriminale të Sicilisë e Italisë së Jugut. Në ditët tona mashtrimet me këtë produkt janë të panumërta.
Zhvillimi teknologjik ka bërë që manipuluesit e tregut të jenë në gjendje të prodhojnë vaj ulliri, duke përdorur vaj kikiriku, por që është aq pranë përmbajtjes së vajit të vërtetë të ullirit, sa është e vështirë të dallohet edhe nga analizat biokimike.