Shqipëri, rritet kosto e jetesës, dyfishohet çmimi i ushqimeve
Tiranë, 28 shkurt - Çmimet e ushqimeve të papërpunuara në Shqipëri regjistruan rritje dyshifrore, ndërsa kategoritë e tjera të mallrave të shportës së konsumit shënuan luhatje të vogla.
Ekonomia po zhvillohet nën potenciale ndërkohë që bizneset dhe individët nuk investojnë. Bankat kanë vijuar shtrëngimin e kreditimit për shkak të pasigurisë në treg.
Kjo është gjendja e ekonomisë shqiptare sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare.
Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%.
Sipas Fullanit, kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme, duke ofruar njëkohësisht edhe stimulin e nevojshëm monetar për mbështetjen e kërkesës së brendshme.