Shqipëri, Prodhimi i naftës rritet në 9500 fuçi në ditë
Tiranë, 13 prill - Prodhimi i naftës gjatë ditëve të fundit të marsit në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës arriti në 9500 fuçi në ditë, (afërsisht 1600 tonë), duke shënuar rekord shumëvjeçar.
Kompania që menaxhon zonën me koncesion shënoi një prodhim mesatar ditor prej 8300 fuçish në ditë, me rritje 14 për qind në krahasim me tremujorin e katërt të vitit të kaluar, kur qenë prodhuar 7200 fuçi në ditë.
Nafta e Patos-Marinzës u shit në tregun rajonal për mesatarisht 47 dollarë për fuçi, çmim ky sa 62 për qind e çmimit të naftës bruto që shitet në bursën e Londrës. Puse të tjera, gjithsej 47, u transferuan nga shtetërorja Albpetrol për te koncesionari kanadez i regjistruar në ishujt Kaiman Bankers Petroleum.
Një pjesë e tyre u rikonfiguruan dhe kompletuan për tu vendosur në punë. Një naftësjellës i ri me gjatësi 14 kilometra po ndërtohet aktualisht për të lidhur vendburimin e Patos-Marinzës me stacionin hekurudhor të Fierit, prej ku nafta dërgohet në Vlorë për tu eksportuar.
Zona e Patos-Marinzës konsiderohet si burimi më i madh i naftës në Europën Kontinentale. Që nga viti 1998, qeveria shqiptare e ka dhënë me koncesion këtë vendburim tek investitorë të huaj, që kanë përdorur teknologji eksperimentale për të nxjerrë naftë në kushte gjeologjike sfiduese. Marrëveshje të ndryshme për ndarjen e prodhimit, i japin Albpetrolit një pjesë në naftës së nxjerrë privatisht.