27 Dhjetor 2024

Shqipëri, konsumi ulet më shumë se çmimet

Tiranë, 9 gusht - Instituti i Statistikave njoftoi në Tiranë për një rënie të lehtë të çmimeve në mallrat e konsumit, por megjithatë tregtia me pakicë nga ana tjetër ka rënë më shumë sesa çmimet.

Çmimi i ushqimeve ka rënë 0,5 për qind, ndërsa shitja e tyre është ulur me 3,5 për qind. Po ashtu janë ulur çmimet në veshje, këpucë dhe shpenzime për banesën, por as këto nuk kanë ndikuar në shtimin e konsumit të qytetarëve.

INSTAT bëri të ditur se e vetmja rritje çmimi është regjistruar tek nafta dhe benzina për automjetet. Të dhënat më të fundit tregojnë se tani që nafta u rrit me 2 për qind, shitja e saj me pakicë u ul me 18 për qind.
 
Shkëmbimet tregtare kanë patur luhatje që nuk kanë ndikuar as ato në përmirësimin e treguesve; deficiti tregtar u rrit 13 për qind krahasuar me muajin paraardhës.

Të vetmet ndryshime kanë të bëjnë me listën e shteteve me të cilat po bëhet tretia e jashtme. Shqipëria ka rritur eksportet me Greqinë, Italinë dhe Spanjën dhe ka shtuar importet nga Gjermania, Maqedonia dhe Kosova.
 
Statistikat për uljen e konsumit ushqimor, veshje dhe transport shihen me shqetësim nga analistët për faktin se kjo po ndodh në mesin e sezonit turistik kur shumë vendas, emigrantë dhe vizitorë të huaj janë me pushime vjetore dhe parashikohet të shpenzojnë lirshëm kursimet e tyre me familjen.
 
Banka Botërore dhe FMN kanë shprehur shqetësim për ritmet e ulëta të ekonomisë shqiptare, duke parashikuar një rritje vjetore simbolike dhe shumë rreziqe për të. Midis rreziqeve kryesore renditet niveli ende i lartë i borxhit publik, i cili propozohet të ulët ndjeshëm bashkë me shpenzimet buxhetore.

Deficiti tregtar është thelluar, por sfida kryesore mbetet ulja e deficitit buxhetor, i cili është kryesisht një borxh i brendshëm.
 
Banka e Shqipërisë gjithashtu ka parë me shqetësim rënien e dukshme të konsumit të popullatës dhe tkurrjen e ndjeshme të kredive dhe shkëmbimeve bankare. Banka Qendrore ka deklaruar se rritja ekonomike po ngadalësohet, konsumi privat u ngadalësua, importi për konsum ka rënë.

Sipas saj, investimet po ecin ngadalë dhe kërkesat për investime të huaja janë ulur, njëlloj si janë ulur edhe kërkesat e qytetarëve për kredi dhe financime nga bankat. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)