Shqipëri, konkurrenca nga jashtë vret prodhimin vendas
Tiranë, 4 shkurt - Çmimet tepër të ulëta të importit për disa produkte të rëndësishme bujqësore gjatë dekadës së fundit i kanë hequr Shqipërisë mundësinë për të zhvilluar bujqësinë e vet, për shkak se bujku shqiptar ka nisur nga një stad shumë më i ulët nga bujqit e vendeve konkurruese.
Mollët, rrushi, mishi dhe vaji i ullirit kanë qenë produktet më të goditura nga importet e lira dhe së fundmi, në këtë kategori po hyjnë edhe agrumet.
Mollët e Maqedonisë p.sh., importohen në Shqipëri përkundrejt një çmimi që shpesh zbret deri në 20 cent të euros për kg, për shkak se fshatarët në atë vend disponojnë plantacione të mëdha, gjë që i lejon shitjen me çmime më të ulëta.
Ndryshe nga Maqedonia, në zonat malore të Shqipërisë që prodhojnë mollë, fshatarët kanë vetëm pemishte të vogla.
Të ardhurat e krijuara nga këto pemishte të vogla nuk janë të mjaftueshme për ti dhënë një jetesë normale fshatarëve të këtyre zonave, pavarësisht se çmimet e shitjes së tyre janë shpesh dy herë më të larta se sa ato të importit.
Produkti që preket më shumë nga çmimet e ulëta të importit është mishi, pasi importet nga Brazili e Argjentina janë të cilësisë më të ulët të mundshme dhe e kanë çmimin e doganës vetëm 200 lekë për kg, ndërkohë që mishi vendas kushton 600-800 lekë për kg.
Shqipëria ka vendosur disa barriera jotarifore për importet, të cilat bien ndesh me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, ku ne jemi anëtar që prej një dekade. Por deri më sot fqinjët nuk janë ankuar në OBT, gjë që na ka kursyer nga gjoba të mundshme.