Shqipëri, Inflacioni në rritje, shkak shtrenjtimi i ushqimeve dhe naftës
Tiranë, 21 maj - Banka e Shqipërisë raporton rritje të inflacionit gjatë vitit 2011, i cili duket se do të vijojë të rritet edhe në muajt në vazhdim.
Burime zyrtare nga BSH, bëjnë të ditur se gjatë muajit mars, inflacioni arriti në 4.3%. Ndërsa mesatarisht, gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, inflacioni rezultoi 4.0%, duke qëndruar një pikë përqindje mbi objektivin afatmesëm për inflacionin.
Gjatë këtij tremujori, inflacioni reflektoi rritjen e lartë të çmimeve të disa produkteve ushqimore, rritjen e mëtejshme të çmimit të naftës, si dhe rritjen e çmimit të barnave mjekësore. Presionet inflacioniste u forcuan gjatë tremujorit të parë të vitit 2011.
Banka e Shqipërisë vlerëson se politikat në nxitje të prodhimit të brendshëm, që ulin ekspozimin e ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve të jashtme përbëjnë një domosdoshmëri.
Inflacioni vjetor i sektorit të mallrave të tregtueshme në tremujorin e parë të vitit 2011, rezultoi 4.9% duke shpjeguar rreth 75% të shifrës së inflacionit total.
Shkaqet kryesore për këtë sjellje, sipas Bankës së Shqipërisë kanë qenë konjuktura e rënduar aktuale dhe e pritshme për çmimet e lëndëve të para, situata e pazakontë gjeopolitike në ekonomitë e rëndësishme prodhuese të naftës dhe të produkteve agro-industriale, si dhe kushtet e pafavorshme të motit të cilat kanë dëmtuar produktet bujqësore.