Shqipëri, 66 për qind e shkëmbimeve tregtare me vendet e Bashkimit Evropian
Tiranë, 23 dhjetor - Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian zënë 66 për qind të gjithë tregtisë së Shqipërisë.
Sipas raportit të tregtisë së jashtme, publikuar nga INSTAT, në nëntor 2017, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 78,3 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 60,3 për qind të importeve gjithsej.
Referuar të dhënave, në njëmbëdhjetë muajt e parë eksportet e mallrave arritën vlerën 251 miliardë lekë, duke u rritur me 13,2 për qind, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 565 miliardë lekë, duke u rritur me 8 për qind, krahasuar me një vit më parë.
Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (37,1 për qind), Kina (7,1 për qind), Gjermania (6,5 për qind) dhe Turqia (6,2 për qind).
Shkëmbimet tregtare, për njëmbëdhjetëmujorin 2017, me vendet e BE zënë 66,3 për qind të gjithë tregtisë. Në periudhën janar – nëntor 2017, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 77,0 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61,6 për qind të importeve gjithsej.
Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (36,3 për qind), Greqia (6,9 për qind), Gjermania (6,9 për qind) dhe Kina (6,4 për qind).