Shqipër, çmimi i naftës kap vlera stratosferike
Prishtinë, 19 mars - Nafta arrin çmime stratosferike. Vetëm ditët e fundit çmimi është rritur me të paktën 5 lekë të reja duke shkuar afërsisht 200 lekë litri.
Çmimi i naftës ka filluar që të ketë një trend rritës që prej fillimit të këtij viti. Natyrisht që efekte në rritjen e çmimit ka dhënë edhe ecuria e çmimit të arit të zi edhe në tregjet botërore.
Që nga fillimi i këtij viti çmimi i naftës në tregjet botërore është rritur me rreth 15 për qind, ndërsa në tregun e brendshëm, rritja ka qenë edhe më e lartë, për shkak se efektit të bursave i shtohet edhe rritja e taksave nga qeveria.
Që prej 25 gushtit në çmimin e naftës është përfshirë taksa e qarkullimit dhe e regjistrimit duke bërë që nafta të ketë vetëm tendencë drejt rritjes.
Që prej 1 janarit të këtij viti çdo drejtues automjeti paguan 7 lekë më tepër për litër nafte. Shqipëria është një vend që prodhon naftë por e eksporton atë duke u detyruar që ta blejë nga jashtë me çmim më të lartë.
Ndonëse i vetmi vend në rajon që prodhon naftë, Shqipëria sërish është importuese neto e karburanteve. Por përkeqësimi i bilancit tregtar nuk është goditja e vetme që jep nafta në ekonomi.
Shtrenjtimi i karburanteve rrit kostot për biznesin në vend duke dhënë ndikim në shtrenjtimin e shërbimeve të ndryshme.
Por vështirësi hasin gjithashtu edhe drejtuesit e automjeteve pasi janë të detyruar që të paguajnë shumë më tepër nga ajo që paguanin një vit më parë. Sipas specialistëve rritja e çmimit të naftës ul rritjen ekonomike të një vendi.