Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me BE-në zënë 60 për qind të gjithë tregtisë
Tiranë, 23 nëntor - Shkëmbimet tregtare të Republikës së Shqipërisë me vendet e Bashkimit Evropian (BE) zënë 60.5 për qind, të gjithë tregtisë.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, në periudhën janar – tetor 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72,2 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54,9 për qind të importeve gjithsej.
INSTAT bën të ditur se, partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 30,1 për qind, Turqia me 7,7 për qind, Greqia me 7,2 për qind dhe Gjermania me 6,6 për qind.
Në këtë dhjetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 300 miliardë lekë, duke u rritur me 35,2 për qind, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 632 miliardë lekë, duke u rritur me 29,5 për qind, krahasuar me një vit më parë.
Deficiti tregtar arriti vlerën 333 miliardë lekë, duke u rritur me 24,8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.