Shënohet Dita Botërore e Akreditimit
Prishtinë , 9 qershor - Agjencia e Akreditimit të Kosovës, e cila funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka shënuar të martën Ditën Botërore të Akreditimit.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në një konferencë të mbajtur me këtë rast, ka uruar për këtë ditë ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë dhe nevojën që të punohet edhe më shumë në këtë drejtim. Drejtoria e Akreditimit e Kosovës (DAK) është i vetmi Organ Kombëtar i Akreditimit i njohur me ligj, për të vlerësuar në përputhje me standardet përkatëse, kompetencën teknike të Trupave për Vlerësim të Konformitetit që kryejnë aktivitete të tilla si: testim, kalibrim, certifikim dhe inspektim, qofshin ato të sektorët publik apo privat, të fushës vullnetare apo të detyrueshme
Ajo ka falënderuar donatorët për ndihmën e dhënë që Agjencia e Akreditimit të arrijë nivelin aktual. Megjithatë nuk do të thotë që ne jemi të kënaqur.
Por, mbështetja po vazhdon dhe ne po punojmë shumë seriozisht që në fakt cilësia e certifikatave të cilat lëshohen nga Agjencia e Akreditimit të jetë e nivelin e vendeve të zhvilluara, certifikata që do të njihen në nivelin rajonal dhe ndërkombëtar, theksoi ministrja Bajrami.
Formimi i institucioneve pa dyshim që për një shtet të ri është i rëndësishëm. Mirëpo, ky nuk është qëllim në vete. Funksionimi i këtyre institucioneve në bazë të ligjit është i rëndësisë jetike për të përmbushur misionin për të cilin këto institucione janë themeluar, tha ministrja.
Ministrja Bajrami theksoi se në kuadër të Ministrisë ka disa shtylla të infrastrukturës së cilësisë të cilat zënë një vend shumë të rëndësishëm në mandatin aktual dhe se po bëhen përpjekje që ti jepen hapësirë dhe prioritet, duke përmendur Agjencinë e Akreditimit, Metrologjisë, Standardizimit dhe Inspektoratin e Tregut, i cili inspekton cilësinë e të gjitha shërbimeve që ofrohen.