SHBA: Të rinjtë përballen me një treg të vështirë pune
Washington, 8 maj - Tregu i punës në Shtetet e Bashkuara ka filluar të tregojë shenja rimëkëmbjeje, por për shumë të rinj kjo rimëkëmbje nuk po ndodh edhe aq shpejt.
Megjithëse shkalla e papunësisë në vend është tani në nivelin më të ulët në dy vjetët e fundit, një studim tregon se perspektiva për të gjetur punë për grupmoshën 16-24 vjeçare është ende e zymtë.
Të rinjtë e Amerikës përballen me një të ardhme gjithnjë e më të pasigurtë. Megjithë përmirësimin e ngadalshëm të tregut të punës, ekonomistja Heidi Shierholz në Institutin e Politikave Ekonomike, thotë se punëtorët e rinj nuk kanë parë ende përfitime të ngjashme.
"Të gjithë të rinjtë pa dallim nuk kanë parë një gjendje të tillë në 70 vjetët e fundit. Që prej Depresionit të Madh, ne nuk kemi parë shkallë të tilla të larta papunësie".
Ndërsa shkalla e papunësisë për të rinjtë është sa dyfishi i mesatares kombëtare, zonja Shierholz thotë se studentët që do të diplomohen këtë vit i pret një konkurencë e madhe për një numër më të vogël vendesh pune.
"Studentët, që po diplomohen këtë vit, janë në konkurencë të drejtpërdrejt me të diplomuarit e vitit të kaluar dhe me ata të një viti më par[, kur shkalla e papunësisë ishte shumë e lartë. Pra bëhet fjalë për një konkurencë të madhe mes të rinjve".
Elliot Reaven, i cili studion për drejtësi në Universitetin George Washington, ndihet optimist për të ardhmen, por e pranon se shumë studentë përballen me një ekonomi të pasigurtë.
"Jam optimist, mendoj se po bëhen përpjekje për ta përmirësuar gjendjen, megjithatë mendoj se në përgjithësi njerzit tani janë të shkurajuar, ndjenjë kjo që e kam edhe unë vetë".
Në vend që të konkurojë me punëtorë me përvojë, për vendet e punës të nivelit fillestar, që janë më të pakta, studenti i kimisë, Dan Foreman ka në plan të presë që ekonomia të përmirësohet para se të kërkojë punë.
"Tani për tani, gjendja nuk duket fort mirë, prandaj do të vazhdojë studimet pasuniversitare, do të marr edhe doktoratën dhe pastaj mund të jem të pozitë më të mirë për të gjetur punë".
Por kohërat kanë ndryshuar. Profesor Ayman Tarabishy në fakultetin e biznesit të universitetit George Washington, thotë se diplomat nuk janë më aq të rendësishme sa aftësitë dhe përvoja në një fushë të caktuar.
"Nuk duhet të përmendësh vetëm se je diplomuar nga ky apo ai universitet dhe diplomën që ke. Punëdhënësit duan të shikojnë se çfarë përvoje mund të ofrosh, çfarë ndikimi mund të kesh në kompaninë e tyre si dhe nivelin e njohurive".
Studentja e gazetarisë Nicole Mann përfundon studimet vitin e ardhshëm. Ajo mendon se studentët duhet të përqëndrohen në objektivat e tyre, por në të njëjtën kohë duhet të jenë më fleksibël.
"Edhe nëse të ofrohet një punë jo në fushën që dëshiron të punosh, duhet ta pranosh atë dhe të bësh maksimumin tënd sepse kjo punë mund të të shtojë optimizmin në mënyra të paparashikuara".
"Mendoj se është si një thirrje zgjimi për këdo, për qeverinë, prindërit, punëdhënësit, por edhe për të rinjtë. Gjërat kanë ndryshuar, regullat kanë ndryshuar dhe të rinjtë duhet tu përshtaten atyre shumë shpejt".
Instituti i Politikave Ekonomike vë në dukje se disavantazhi më i madh është se të rinjtë kanë më pak rrjete të sigurta, si për shembull studentët e diplomuar, që nuk mund të gjejnë punë, nuk kualifikohen për përfitime papunësie.
"Punëtorët e rinj, të cilët thuajse nuk kanë një rrjet sigurie, kanë humbur edhe tregun e punës. Atyre u duhet të varen te familja dhe miqtë, ndërkohë që këta të fundit edhe vetë mund të jenë ndikuar negativisht nga ekonomia dhe tregu i punës".
Zonja Shierholz thotë se lajmi i mirë është se numri i vendeve të reja të punës gjatë 6 muajve të fundit ka qënë vazhdimisht më i lartë se sa numri i nevojshëm për të ruajtur ekuilibrin me rritjen normale të popullsisë. Ajo thotë se shqetësimi i saj më i madh është klima e nxehtë politike në Uashington, që me sa duket është gjithnjë e më shumë e gatshme të sakrifikojë krijimin e vendeve të reja të punës për të ulur deficitin në rritje të vendit.