SHBA lejon eksportin në sasi më të madhe të naftës amerikane
Washington, 10 tetor - Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan votoi sot për të lejuar eksportin në sasi më të madhe të naftës amerikane.
Masa e miratuar me 261 vota pro dhe 159 kundër do ti kalojë tani Senatit, ku pritet ta ketë më të vështirë miratimin. Nëse projekt-ligji merr miratim edhe në Senat, do ti kalojë Shtëpisë së Bardhë ku presidenti Obama ka thënë se do ti vërë veton.
Ndalimi i eksporteve të naftës amerikane u vu në zbatim në vitet 1970 gjatë embargos së naftës nga vendet arabe që solli rritje të lartë në çmimet e karburantit në Shtetet e Bashkuara.
Kompanitë e naftës dhe disa grupe konservatore thonë se Shtetet e Bashkuara janë aktualisht prodhuesi më i madh i naftës në botë dhe se eksporti i një sasie më të madhe naftë do të krijojë vende pune, rritje ekonomike dhe ulje të çmimit të karburantit me rritjen e ofertës në tregun botëror të naftës.
Kundërshtarët, përfshirë grupe për mbrojtjen e mjedisit dhe Sindikata e Metalurgëve amerikanë thonë se eksportimi i naftës amerikane do të dëmtojë tregun amerikan të punës dhe do të rrisë çmimet e karburantit për amerikanët.