SHBA kërkon t’i ndalet nafta Koresë së Veriut
Washington, 7 shtator - Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një varg sanksionesh të reja nga Kombet e Bashkuara, kundër Koresë së Veriut.
Propozim-rezoluta, e shpërndarë tek anëtarët e Këshillit të Sigurimit, përfshin ndalimin e naftës për Korenë Veriore dhe ngrirjen e aseteve të liderit të saj, Kim Jong-un.
Ajo vjen pasi Phenjani ka kryer testin e gjashtë bërthamor dhe ka lëshuar vazhdimisht raketa.
Phenjani gjithashtu thotë se ka krijuar bombën e hidrogjenit dhe kërcënon me sulme SHBA-në.
Kina, aleatja kryesore e Koresë së Veriut, dhe Rusia pritet t’i kundërshtojnë sanksionet e reja.
Phenjani, me vite, është nën sanksione të OKB-së, që janë ndërmarrë në përpjekje për ta detyruar regjimin të kufizojë programet e armëve.