ShBA dhe Kina dakordohen për mosrritjen e taksave
Washington, 3 dhjetor - Presidenti i SHBA-së ra dakord për të mos ngritur normën e tarifave për produktet e importuara nga Kina, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti amerikan Trump dhe Presidenti kinez Xi Jinping mbajtën një "takim shumë të suksesshëm" gjatë Samitit G20 në kryeqytetin argjentinas, Buenos-Ajres.
"Sa i përket tregtisë, Trump ka rënë dakord që nga 1 janari 2019, të lë tarifat në vlerë prej 200 miliardë dollarësh në shkallën 10 për qind dhe nuk do ta rrisë atë në 25 për qind brenda kësaj kohe", thuhet në deklaratë.
Para Samitit G20, Trump shprehu pakënaqësi rreth marrëdhënieve tashmë të tensionuara midis dy ekonomive më të mëdha të botës duke kërcënuar Kinën me rritjen e tarifave për produktet kineze, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje.
"Kina do të pajtohet të blejë një sasi ende të padakorduar, por shumë të konsiderueshme, bujqësore, energjetike, industriale dhe produkte të tjera nga SHBA-të për të reduktuar mosbalancimin e tregtisë mes dy vendeve tona", thuhet më tej.
Deklarata potencon se Kina u dakordua të fillonte blerjen e prodhimeve bujqësore nga fermerët amerikanë "menjëherë".
Të dy liderët gjithashtu ranë dakord të fillojnë negociatat për ndryshimet strukturore "në lidhje me transferimin e detyruar të teknologjisë, mbrojtjen e pronësisë intelektuale, barrierat jotarifore, ndërhyrjet dhe vjedhjet kibernetike, shërbimet dhe bujqësinë".
Deklarata thekson se vendet ranë dakord që transaksionet në fjalë të zbatohen brenda 90 ditëve të ardhshme.
"Nëse deri në fund të kësaj periudhe, palët nuk janë në gjendje të arrijnë një marrëveshje, tarifat prej 10 për qind do të rriten në 25 për qind", shtohet më tej në deklaratë.
Udhëheqësit gjithashtu ranë dakord rreth ndëshkimeve për kompanitë kineze që shesin ilaçe të fuqishme sintetike në SHBA.
"Shumë e rëndësishme, Presidenti kinez, në një gjest të mrekullueshëm humanitar, ka rënë dakord që Fentanyl të caktojë si substancë të kontrolluar, që do të thotë se personat që shesin Fentanyl në SHBA do të jenë subjekt i dënimit maksimal sipas ligjit të Kinës", tha ai.
Furanyl fentanyl është i ngjashëm me fentanilin i cili nga Instituti Kombëtar i SHBA-së përshkruhet si abuzim droge, si një analgjetik i fortë opioid sintetik, i ngjashëm me morfinin por 50 deri në 100 herë më i fuqishëm.
Përdoret për të trajtuar pacientët me dhimbje të forta ose post-kirurgjikale, por gjithashtu ekziston mundësia e abuzimit.
Deklarata shtoi se Trump dhe Xi gjithashtu ranë dakord "se është arritur përparim i madh në lidhje me Korenë e Veriut" për një Gadishull Korean pa armë bërthamore.