SHBA dëshirojnë të bëhen një destinacion për eksporte kosovare
Çikago, 12 nëntor - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami mori pjesë në konferencën Mundësitë globale - Sinergji me Izraelin dhe Illinoisin, organizuar nga Forumi Ekonomik Amerikano-Izraelit në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptaro Amerikane dhe me Shoqatën e Grave Shqiptaro - Amerikane të Çikagos, që u mbajt sot në Çikago, SHBA.
Ministrja Bajrami ishte pjesë e delegacionit të Presidentes Jahjaga, e cila e hapi këtë konferencë. Kontribut në këtë seminar dhanë edhe panelistët që përfaqësojnë shtetin e Izraelit dhe zyrtarët ekonomikë nga Shteti i Illinoisit dhe qyteti i Çikagos.
Ministrja Bajrami fillimisht i informoi të pranishmit, përfaqësues të bizneseve të rëndësishme të Çikagos me gjendjen e përgjithshme ekonomike të Kosovës dhe prezantoi mundësitë për investime në Kosovë.
Kosova gjendet në zemër të Ballkanit, dhe ofron qasje të lehtë në gjithë Bashkimin Evropian, me anë të transportit rrugor, ajror, hekurudhor dhe detar (përmes porteve të shteteve fqinje) - tha ajo.
Më tej vazhdoi ministrja, tregtia e lirë do të intensifikohet edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ( MSA) në tetor 2015, ndërsa sa i përket Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Kosova është anëtare së bashku me 7 vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila ofron mundësinë e tregtisë pa doganë në një treg prej mbi 20 mil.banorë.
Ministrja vuri në pah se SH.B.A-të si vend mik i Kosovës dëshirojnë të bëhen një destinacion për më shumë eksporte kosovare. Në këtë mënyrë duhet shfrytëzuar mundësitë e lirimit të taksave dhe konkurrueshmërinë e pasur që ka në sektorë të ndryshëm, si: IT, agrobiznes, përpunim dhe paketim të ushqimit, miniera dhe metale, energji, tekstil,përpunim të lëkurës, drurit dhe në fushën e turizmit.
Ajo, prezentoi edhe projektet infrastrukturale në implementim e sipër, si ndërtimi i autostradës Prishtinë Shkup, ndërtimi i termocentralit Kosova e Re prej 500 megavat, diversifikimi i burimeve energjetike (ngritja e kapacitetetve në hidroenergji, energji solare energji termike, biomasa etj. projektet në bujqësi,turizëm, Projekti për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje për investitorët e huaj, prandaj ka krijuar procedura që mundësojnë regjistrim më të lehtë dhe të shpejtë të biznesit, reduktim të licencave, ekzekutim të kontratave, ka krijuar hapësira të punës si parqe dhe inkubatorë të biznesit, zona ekonomike, ka përmirësuar qasjen në financa duke eliminuar në këtë mënyrë barrierat e mundshme për investitorët e huaj, tha ministrja Bajrami.
Ajo i informoi të pranishmit se institucionet vazhdojnë të reformojnë sistemin ligjor i cili është ndërtuar tërësisht në përputhje me legjislacionin e BE-së. Fusha e investimeve të jashtme është e rregulluar me Ligjin për Investimet e Huaja që siguron trajtim të barabartë për investitorët e huaj dhe vendas ndërsa me Marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve dhe me Ligjin për investime strategjike , i cili shpejt do të finalizohet, do të lehtësojë edhe më tej investimet e huaja në Kosovë.