SHBA: Bien investimet në kërkimet bio-mjekësore
Washington, 3 janar - Shpenzimet për kërkimet bio-mjekësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë shënuar rënie.
Tani Amerika përfaqëson nën 50% të fondeve globale të shpenzuara në këtë fushë, ndërkohë që Japonia dhe Kina kanë rritur ndjeshëm investimet gjatë pesë vjetëve të fundit.
Megjithatë, këto dy vende ende nuk shpenzojnë as gjysmën e fondeve që shpenzojnë Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 2007, Shtetet e Bashkuara financonin 51% të kërkimeve botërore në bio-mjekësi, por në vitin 2012 Amerika përfaqëson 45% të shpenzimeve në këtë fushë.
Analistët thonë se rënia është kryesisht rezultat i reduktimit të investimeve të industrisë private, megjithëse edhe institucione qeveritare si Institutet Kombëtare të Shëndetit kanë reduktuar burimet financiare.
Studimi thekson se vërehet një zhvendosje drejt Azisë për kërkimet bio-mjekësore, përfshirë provat klinike për ilaçe të reja, si duket si rezultat i kostor më të ulët të krahut të punës dhe rregulloreve më të buta qeveritare.