SHBA, 3 milionë të sapodiplomuar hyjnë në tregun e punës
Washington, 5 qershor - Ka përfunduar viti shkollor në Shtetet e Bashkuara duke nxjerrë kështu një brez të tërë të mijëvjeçarit të ri në kërkim të vendeve të punës.
Miliona të sapodiplomuar nga kolegjet kanë hyrë në tregun e punës gjatë dy muajve të fundit. Zëri i Amerikës shkoi në katër universitete të ndryshme për të biseduar me të sapodiplomuarit rreth së ardhmes së tyre dhe të Amerikës.
Studentët përgatiten për momentin e madh të diplomimit. Jam e lumtur, por është edhe intimiduese, thotë Crislyn Ogawa, e Universitetit të Karolinës së Jugut.
Folësit u munduan tu transmetojnë qetësi dhe vetëbesim. Mbani mend se gjërat që kanë vlerë nuk arrihen lehtë, u tha Presidenti Donald Trump.
Mendoni për më larg, u tha Senatori Bernie Sander, ish-kandidat për president.
Kur ne shërbejmë, demokracia jonë është më e mirë, u tha David Brown, ish-shef policie në Dallas.
Në mbarë vendin, tre milionë studentë diplomohen këtë pranverë. Sipas Career Builder, ky është tregu më i mirë i punës i 10 viteve të fundit.
Por, jo të gjithë të diplomuarit e kanë një plan. Nuk punoj diku dhe është ende pikëpyetje se çfarë do bëj. Por, kam shpresa, thotë Erasto Renteria, i Universtitetit të Teksasit.
Si 90% e të diplomuarve edhe unë ndoshta nuk do të punoj në fushën ku jam diplomuar. Do jetë e vështirë, thotë Joshua Charles, i Kolegjit Brooklyn.
Për disa, ky optimizëm reflektohet edhe tek e ardhmja e vendit.
Dan Carr punoi si berber për studentët në Kolegjin Liberty. Pas diplomimit, ai do të marrë në dorë biznesin e familjes, një dyqan armësh.
Tregu i aksioneve është rritur, së bashku me punësimin. Ekziston një energji dhe një frymë e re amerikane, thotë ai.
Të tjerë thonë se po i hyjnë një bote krejt të ndryshme nga kur patën filluar kolegjin.
Të jesh myslimane mbart shumë frikë, duke patur president Donald Trump-in, thotë Saha Jamshed, e Universitetit të Kalifornisë së Jugut.
Disa të sapodiplomuar në Universitetin e Teksasit premtojnë të ndryshojnë historinë.
Motoja jonë është se çfarë fillon këtu, ndryshon botën dhe mendoj se shumë të rinj frymëzohen nga kjo gjë, thotë Laura Kenyon.
Tradicionalisht, kolegji krijon optimizëm dhe vendosmëri. Tashmë është në duart e këtyre të rinjve ta përçojnë më tej këtë frymë.