Sharri ende pa listën për 20-përqindësh
Prishtinë, 21 janar - Ka përfunduar procesi i privatizimit për ndërmarrjen Sharr, e cila ka qenë e përbërë nga katër njësi punuese: \"Lepenci\" në Kaçanik, \"Silcapor\" në Doganaj (Kaçanik), \"Sharrsaloniti\" në Han të Elezit dhe Sharrcemi në Han të Elezit, mirëpo ende nuk është bërë gati lista për shpërndarjen e 20-përqindëshit për punëtorët e kësaj ndërmarrje.
Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Yll Kaloshi, ka thënë se AKP-ja ende nuk ka listë të punëtorëve të kualifikuar, të cilët do ta përfitonin 20-përqindëshin nga çmimi i shitjes së ndërmarrjes Sharr.
Tash për tash nuk dihet se sa punëtorë do të jenë të përfshirë në këtë listë. Për këtë arsye nuk dihet as se kur do të bëhet shpërndarja e mjeteve që u takojnë atyre, ka thënë Kaloshi.
Kaloshi është shprehur se gjatë vitit që shkoi janë bërë hapa shumë të rëndësishëm në përshpejtimin e shpërndarjes së 20-përqindëshit. Deri më tani janë shpërndarë 34 milionë euro për punëtorët nga pjesa e 20-përqindëshit.
Ish-AKM-ja ka shpërndarë rreth 14 milionë euro, kurse AKP-ja për dy vjet ka arritur ta dyfishojë këtë shumë dhe ti shpërndajë rreth 20 milionë euro. Ky është një sukses i madh, kur merren parasysh vështirësitë që kanë ekzistuar me Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës, ka theksuar Kaloshi.
Kurse kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSBK), Haxhi Arifi, ka deklaruar se deri në fund të marsit do të përfundojë shpërndarja e 20-përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara.
Të gjithë punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara deri në fund të marsit do ti marrin paratë të cilat u takojnë nga 20-përqindëshi, por problem do të sjellin ankesat të cilët janë bërë në Odën e Veçantë, ka theksuar ai.
Gazeta Epoka e RE