Sharrcem pretendon se Doganat po e shesin klinkerin për çimento
Prishtinë, 27 dhjetor - Doganat e Kosovës po e shesin klinkerin për çimento. Kështu vazhdon të pretendojë kompania Titan, të cilës iu konfiskuan muaj më parë nga doganat mijëra tonë mall të kontestuar.
Drejtuesit e Sharrcemit thonë se materiali është klinker dhe u bëjnë thirrje prodhuesve që këtë material mos ta përdorin për ndërtim, pasi është i rrezikshëm. Ky material, sipas kësaj kompanie, tanimë edhe gjendet në treg.
Ndërkaq, nga doganat këmbëngulin që është çimento dhe kanë filluar edhe ta shesin përmes ankandit publik. Për këto akuza ata thonë se do të ushtrojnë padi ndaj kompanisë Titan, shkruan gazeta \"Express\"
Fabrika e çimentos Titan ne Usje të Maqedonisë ka bëre thirrje dhe njëherë që produkti i ofruar për shtije nga Dogana e Kosovës, i cili është prodhuar në fabrikën e tyre, të mos përdoret për ndërtim pasi që paraqet rrezikshmëri të lartë, duke mos qene çimento siç e ka deklaruar dogana, por klinker apo më mirë të thuhet material i papërpunuar dhe jo i tregtueshëm.
Klinkeri është një produkt i ndërmjetshëm, i paplotë, i parregulluar dhe jo i tregtueshëm si një material ndërtimor dhe në asnjë mënyrë nuk mund të shitet ose të përdoret si Portland Çimento pasi që nuk përputhet me normat dhe specifikimet për çimento as të Bashkimit Evropian as të Republikës së Maqedonisë e as të Republikës së Kosovës, prandaj si i tillë nuk guxon të përdoret për ndërtim, kanë theksuar zyrtarët e kësaj fabrike kohë më parë përmes një njoftimi publik.
Nga drejtuesit e Titan Group shitja e mallit të tyre po quhet edhe e paligjshme. Sipas tyre, Dogana e Kosovës përveç se po e shet një produkt të papërpunuar si çimento, ata thonë se ky institucion po ua shet mallin, edhe pse janë ende në kontest gjyqësor.
Dogana e Kosovës tashmë ka shitur këtë material, i cili ka filluar të shfrytëzohet për ndërtim.
Por, sipas fabrikës së çimentos në Usje të Maqedonisë, ky është një material i ndërmjetshëm në procesin e prodhimit të çimentos dhe përdorimi i tij si zëvendësim për çimento është plotësisht kundër të gjitha ligjeve dhe rregulloreve.
Çdo ndërtim që rezulton nga përdorimi i këtij materiali është i pasigurt, krejtësisht i paparashikueshëm dhe i paqëndrueshëm si dhe rrezikon shëndetin, jetën dhe sigurinë e popullit të Kosovës, theksohet në reagimin e kësaj fabrike që është pjesë e Titanit.
Nga ana tjetër, zyrtarë të doganave kanë thënë se analizat e tyre laboratorike tregojnë se fabrika Sharrcem po i mashtronte doganierët, duke futur çimento të pastër. Për më tepër, fabrika e Sharrcemit u dënua me 10 mijë euro gjobë për mashtrim tarifor.
Dogana e Kosovës ka vendosur që ta shesë këtë produkt, vetëm pasi ka kryer analizat e nevojshme fiziko-kimike në një nga laboratorët ndërkombëtar, rezultatet e se cilës analize theksojnë se produkti është çimento, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i doganave.
Në bazë te këtyre parametrave, Stavileci thotë se laboratori ka konfirmuar se në mostër ekziston prezenca e gjipsit CaSO4 X 2H2O, të shprehur si treoksid sulfuri SO3. Me tutje analizat e doganave kanë sqaruar se deklarimi i kompanisë apo produkti i importuar nga kompania nuk ka parametra që mund ti atribuohen klinkerit të çimentos, por janë parametra të Portland çimentos, çka e bën të pakontestueshëm faktin se në rastin konkret kemi të bëjmë me çimento me veti lidhëse.
Kompania ne fjale për here te dyte është duke lëshuar komunikata për shtyp te këtij lloji, për çka zyra ligjore e Doganës ka filluar procesin e shqyrtimit te mundësive për ngritjen e padisë kundër kompanisë, për deklarime te pavërteta ne te dy rastet, ka thënë Stavileci.