Sharr Cemi i shitet grupit ndërkombëtarë Titan në Athinë
Prishtinë, 14 dhjetor - Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka negociuar shitjen e Sharr Cemit, grupit ndërkombëtarë Titan, me seli në Athinë që është edhe një ndër furnitorët më të mëdhenj të çimentos në botë.
Kryetari i Bordit të AKP-së, Dino Asanaj ka thënë se kjo është bërë e mundur duke respektuar Ligin për Investimet e Huaja dhe obligimet Kontraktuale ndërmjet UNMIK-ut dhe Sharr Beiteiligung GMBH të vitit 2000.
Kjo është gjithashtu konfirmuar edhe nga Këshillëdhënësi i AKP-se për Transaksion i angazhuar për negociata ndërmjet të AKP-së dhe Titan Grup.
Investimet e bëra gjatë periudhës së qirasë 22,5 milion euro, si dhe shitja e aseteve aktuale 30,1 milion euro si dhe investimet në të ardhmen 35,0 milion euro sjellin Totalin e Investimeve të Huaja Direkte në fabrikën e Sharr Cemit deri në 87,6 milion euro.
Shitja e Sharr Cementit sipas z. Asanaj është një arritje e jashtëzakonshme në progresin e privatizimit në Kosovë dhe paraqet transaksionin më të madh të privatizimit në historinë e këtij shteti.
Nuk mund të theksoj mjaftueshëm se sa e madhe është kjo arritje për punëtorët e Sharr Cemit, për Titan Grup dhe për kombin tonë, zhvillimin ekonomik si dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, ka deklaruar ai.
Ky sipas tij është privatizimi më i madh në Kosovë dhe premton të jetë i suksesshëm.
Asanaj me tutje ka deklaruar se gjatë negociatave të vështira është arritur që blerësi i ri të marr përsipër zotimin mbi punësimin e të gjithë punëtorëve aktual, me rroga aktuale e që janë trefishi i mesatares së Kosovës për një periudhë tri vjeçare dhe pagesën e bonusit sipas normave të korporatës.
Blerësi i ri, po ashtu ka marr përsipër zotimin që të paguaj kompensimin në vlerën aktuale për punëtorët në skemën sociale.
Punësimi afatgjatë dhe prosperiteti janë tashmë të përforcuara për rajonin e Hanit të Elezit dhe Titani na siguron që të zgjeroj biznesin në vitet e ardhshme. Titani gjithashtu angazhohet në mbrojtjen e standardeve dhe kritereve kombëtarë dhe ndërkombëtare të ambientit. Kjo është e një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik të komunës së Hanit të Elezit dhe të rajonit.
Ky është investim strategjik dhe i një rëndësie të veçantë kombëtare që vjen nga njëri prej fqinjëve tanë jugor dhe është mjaft inkurajues dhe shpresojmë që edhe në të ardhmen të kemi më shumë investime të kompanive Greke.