Serbia shet, por nuk blen nga Kosova
Prishtinë, 26 shtator - Heqja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe stabilizimi i marrëdhënieve me Kosovën, nuk ka ndryshuar fare raportet tregtare mes dy shteteve. Raporti tregtar mes Kosovës dhe Serbisë është regjistruar të jetë 100 me 1, në favor të Serbisë, shkruan sot Koha Ditore.
Gjatë këtyre ditëve në pikat kufitare me Serbinë kanë kaluar nga Kosova gjithsej 7 kamionë me mallra kosovare. Nga Serbia kanë ardhur më shumë se 700 kamionë me mallra të ndryshme serbe në Kosovë, ka deklaruar të dielën zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.
Sipas tij, tre kamionët e fundit të eksportuar nga Kosova kanë bartur çimento dhe mbeturina të letrës.
Përfaqësuesit e bizneseve kosovare thonë se ende nuk e kanë hequr dyshimin se vërtet Serbia është duke e zbatuar marrëveshjen e arritur për njohjen e vulave doganore. Kalimi në Serbi i kamionëve të parë, as për ministren e Tregtisë dhe të Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, nuk garanton se Serbia do ta zbatojë me të vërtetë marrëveshjen me Kosovën.
Kjo do të thotë se në këto raste specifike ka filluar zbatimi i marrëveshjes, por nuk mund të kemi garanci, për arsye të ndërrimit të qëndrimit të Serbisë edhe herëve të tjera. Nuk e di nëse është kjo vetëm tolerancë para takimit të ardhshëm që do të mbahet në Bruksel, më 27-28 shtator, apo është një qasje që do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në përputhje me pranimin e ndërsjellë të vulave.\"
\"Kjo mbetet të shihet. Shpresojmë se do të jetë një qasje më e përhershme, sesa e përkohshme, për të përfituar nga momenti apo për të treguar një vullnet të momentit nga ana e Serbisë deri në arritjen e një marrëveshjeje tjetër dhe pastaj të fillohet me probleme, ka thënë Kusari-Lila për radion Evropa e Lirë.
Por, edhe nëse Serbia vërtet do të zbatojë marrëveshjen, tregtarët kosovarë thonë se e kanë të vështirë të zënë vend në tregun e Serbisë.