23 Dhjetor 2024

Serbia pranon vulat e Kosovës

Bruksel, 2 shtator - Delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, në këtë raund të dialogut teknik ka arritur dy marrëveshje, atë për njohjen reciproke të vulave të doganave mes dy shteteve dhe marrëveshjen për kthimin e dokumenteve kadastrale.

Marrëveshjet e arritura sot janë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi  dhe parimet euro-atlantike. Qeveria e Republikës së Kosovës edhe me këtë rast mbrojti interesat shtetërore dhe qytetare, si dhe rikonfirmoi përkushtimin për integrime evropiane dhe euro-atlantike duke dhënë kontribut të vlefshëm për fqinjësi të mirë, bashkëpunimin rajonal dhe forcim të stabilitetit të mbarë rajonit.

Marrëveshja për njohjen reciproke të vulave të doganave hap perspektiva për marrëdhëniet e tregtisë së lirë mes dy shteteve sipas parimeve të BE-së. Me këtë marrëveshje praktikisht u arrit njohja reciproke mes dy shteteve në fushën e doganave.

Serbia njohu vulat e doganave të Republikës së Kosovës si dhe u eliminua embargoja trevjeçare e Serbisë ndaj mallrave të shtetit të Kosovës. Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje me efekte pozitive për tregtinë dhe ekonominë e Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës do ta bëjë implementimin si shtet sovran dhe i pavarur duke respektuar parimet e CEFTA-s.

Marrëveshja për njohjen reciproke të vulave të doganave hapë perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe rrit aktivitetin tregtar të vendit të tone, por edhe investimet e huaja. Prodhuesit nga Kosova do të mund të eksportojnë mallrat e tyre në shtetin fqinj, Serbinë, si dhe të përdorin si rrugët transitore për tregun rajonal dhe atë evropian pa asnjë pengesë. Kjo po ashtu i kontribuon stabilitetit tregtar, financiar dhe fiskal të Kosovës duke siguruar derdhjen e taksave doganore në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu në këtë raund të dialogut teknik u arrit edhe një tjetër marrëveshje e rëndësishme për Kosovën, ajo për çështjet e kadastrave, marrëveshje kjo që obligon Serbinë për t’ia kthyer Kosovës dokumentet kadastrale të marra gjatë periudhës së luftës. Përmes kësaj marrëveshjeje, sistemi kadastral i Kosovës i cili është elektronik dhe i ndërtuar sipas modeleve më të mira ndërkombëtare do të plotësohet me dosjet që mungojnë për ta pasur një kadastër të kompletuar dhe kompatibile me parimet e Bashkimit Evropian.

Zbatimi i këtyre marrëveshjeve do të fillojë sa më parë që është e mundshme nga aspekti operacional.

Në këtë raund të dialogut teknik është diskutuar edhe për Energjinë, Telekomunikacionin dhe Bashkëpunimin rajonal, ku janë bërë përparime të dukshme dhe në raundet e ardhshme mund të priten marrëveshje të reja.

Delegacioni i Republikës së Kosovës gjatë takimit të sotëm vlerësoi kontributin e BE-së dhe SHBA-ve për arritjen e marrëveshjeve në fjalë.

Raundi i shtatë i dialogut teknik pritet të mbahet nga fundi i muajit shtator.

Delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës i priu Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe në ekipin e saj ishin: Lirim Greiçevci - këshilltar politik i Kryeministrit, Dren Zeka - këshilltar kryesor politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Elona Cecelia - këshilltare politike e Zëvendëskryeministres Tahiri, Florent Bakija - përfaqësues i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ali Hamiti - kryesues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Fadil Ismajli - drejtor i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, Arben Gjukaj - drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, Ekrem Hoxha - drejtor i bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, Naim Huruglica - drejtor i Doganave të Kosovës dhe Murat Meha - kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)