Serbia po humb tregun e Kosovës nga taksa 100 për qind
Prishtinë, 19 dhjetor - Kosova importin e ka mbuluar vetëm me 12.5 për qind përmes eksportit, në raport me vendet e tjera të rajonit.
Kështu vlerëson Shoqata e Mullisëve të Kosovës. Kryetari Mustafë Farizi thotë për Radio Kosovën se vendi ynë në raport me CEFTA-në, vetëm sa është dëmtuar. Ndërkohë, Shoqata e Prodhuesve të Grurit thotë se Kosovës për një vit i nevojiten 410 mijë tonë grurë.
Kosova e ka mbuluar importin me eksport vetëm 12.5 për qind, përkatësisht, importi nga jashtë, ka qenë tetë fish më i madh sesa eksporti.
Të dhënat statistikore flasin se Shqipëria e ka mbuluar importin me eksportin me 51 për qind, Serbia me 78 për qind, Maqedonia me 87 për qind, Bosnja me 62 për qind, Greqia me 57 për qind, Bullgaria me 98 për qind, Kroacia me 64 për qind dhe Turqia me 89 për qind, ndërkohë që Kosova në Serbi ka eksportuar vetëm 4.5 për qind, përderisa në Bosnje e Hercegovinë ka eksport shumë të vogël.
Kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Mustafë Farizi, thotë se vendet që janë në kuadër të CEFTA-së, vetëm sa e kanë shfrytëzuar Kosovën.
“Masën prej 100 për qind, do ta shfrytëzojë në masë të madhe Maqedonia, e cila mund të na shesë miellin e Serbisë neve, gjë e cila nuk është e lejuar sipas CEFTA-së. Me CEFTA-në vetëm jemi dëmtuar, na kanë shfrytëzuar shtetet që janë në kuadër të CEFTA-së ndërsa ne u kemi ndihmuar atyre”, tha Mustafa.
Ndërsa, zyrtarë nga Shoqata e Prodhuesve të Grurit thonë se Kosovës për një vit i nevojiten 410 mijë tonë grurë. Kryetari Pal Gjuraj thotë se këtë vit rendimenti ishte i ulët, 2 mijë e 700 kg për hektar.
“Ka pas të mbjella 73 mijë hektarë, kështu që kur kthehet në përqindje diku Kosova i plotëson nevojat e veta për këtë vit rreth 40 për qind. 60 për qind këtë vit kemi qenë të detyruar që të importojmë dhe që krahasuar me vendet përreth kemi një përqindje shumë të lartë që kemi nevojë për ta importuar”, tha Gjuraj.
Mustafë Farizi dhe Pal Gjuraj vlerësojnë se masa që është vendos për produktet që vijnë nga Serbia ka qenë pak e vonuar, por shumë e qëlluar. Ata thonë se duhet të ketë bashkëpunim me prodhues vendorë që të rrisin sasinë dhe cilësinë e produkteve. Ditë më parë, Aleanca Kosovare e Biznese ka theksuar se taksia prej 100 për qind i ka kushtuar humbje eksportuesve të Serbisë mbi 23 milionë euro deri tani.