Senati në SHBA konfirmon Wilbur Ross për Sekretar te Tregtisë
Washington, 28 shkurt - Senati i Shteteve të Bashkuara më 27 shkurt ka konfirmuar të zgjedhurin e presidentit Donald Trump për Sekretar të Tregtisë, Wilbur Ross, pavarësisht pyetjeve lidhur me lidhjet e mundshme të tij me oligarkët rusë.
Ross, është një investitor miliarder, i specializuar për të marrë përsipër bizneset që kanë probleme. Demokratët në Senat kanë ngritur pyejtje lidhur me lidhjet e Ross me Rusinë në rolin e tij që prej vitit 2014, si zëvendëskryetar i bordit të Bankës së Qipros, që është banka më e madhe në këtë vend.
Banka, e cila është shpëtuar nga falimentmi më 2013, përmes një ndihme financiare të vendeve të eurozonës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, është aksionari i dytë më i madh në konglomeratin rus Lamesa Holdin, që është në pronësi të oligarkut rus, Viktor Vekselberg, i cili, sipas Forbes, ka pasuri prej më shumë se 12 miliardë $.
Paraardhësi i Ross-it në postin e zëvndëskryetarit në bordin e kësaj banke ishte Vladimir Strzhalkovsky, ish-agjent i KGB-së, i cili njihet si njeri i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.
Më herët gjatë këtij muaji, gjashtë senatorë demokratë, i dërguan një letër Ross-it, duke e pyetur atë nëse Banka e Qipros i ka dhënë hua grupit të pasurive të patundshme të presidentit Donald Trump, Organizatës Trump.
Senati i Shteteve të Bashkuara dhe publiku amerikan meritojnë të dinë shtrirjen e plotë të lidhjeve tuaja me Rusinë dhe për njohurinë tuaj për ndonjë lidhje në mes të Adminsitratës Trump apo Organizatës Trump dhe Bankës së Qipros, thuhej në letrën e senatorëve demokratë.
Senatorët gjithashtu i kanë bërë thirrje Ross që të tregojë nëse ka pasur kontakt me zyrtarë rusë ose agjentë gjatë fushatës presidenciale.
Senatorja Elizabeth Warren ka kritikuar lidhjet biznesore të Ross me Rusinë.
Ross ka lidhje të gjera me Rusinë. Ai ka në plan që të vazhdojë të bëj para prej kompanive të tij të mëdha të naftës përderisa do të punojë si Sekretar i Tregtisë, ka thënë ajo.
Asnjëra nga pyetjet lidhur me lidhjet e Ross me Rusinë nuk u bën gjatë seancës dëgjimore të konfirmimit. Ai asnjëherë nuk është përgjigjur lidhur me këto dyshime përpara se Senati të votonte nominimin e tij.