Rusia lehtëson embargon kundër Turqisë
Moskë, 16 janar - Federata e Rusisë, ekonomia e të cilës po dobësohet çdo ditë e më shumë, është detyruar të lehtësojë embargot e saj kundër Turqisë.
Sipas projektligjit të publikuar në uebfaqen zyrtare të qeverisë ruse, do të ripërcaktohen rregullat, që do tu mundësojnë firmave turke vazhdimin e tregtisë në disa sektorë, sidomos në atë të fruta-perimeve.
I detyrueshëm për shkak të presionit që embargoja e Moskës mbi produktet e importuara nga Turqia ka nisur të ushtrojë ndaj nivelit të lartë të inflacionit në Rusi, duke e ngritur atë në një shkallë gati të papërballueshme; ky vendim do të përjashtojë shumë kompani të kontrolluara nga qytetarët turq dhe disa produkte turke nga lista e sanksioneve ekonomike të ndërmarra nga qeveria ruse.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria ruse e Zhvillimit Ekonomik, e cila bëri me dije se kanë aplikuar për fshirjen e disa firmave turke nga lista e bizneseve dhe personave të sanksionuar.
Ndërsa sipas një artikullit të publikuar nga gazeta ruse Kommersant, Kremlini do të dekretojë një sërë lehtësimesh për punonjësit e disa firmave turke, veçanërisht për ato me aktivitet në sektorin e ndërtimtarisë, në mënyrë që të mos rrezikohen një numër i konsiderueshëm i projekteve të ndërtimit në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Botëror të Futbollit Rusi 2018.
Për këto kompani do të vendoset kushti i ortakërisë me qytetarë rusë dhe nuk do të lejohen të kenë në pronësi më tepër se 25% të aksioneve.