Rumania shet aksione e Petrom-it
Bukuresht, 13 korrik - Rumania të hënën në Bursën e Bukureshtit ofroi 9,84 për qind të aksioneve të grupacionit të naftës Petrom dhe pritet që me transaksionin të realizojë të ardhura prej 610 milionë eurosh.
Në shitje janë gjithsej 5,5 miliardë aksione të Petrom-it, prej të cilëve 15 për qind janë të rezervuara për kompanitë të cilat merren me shitje të energensave me pakicë.
Në mesin e aksionarëve më të mëdhenj në këtë kompani rumune janë edhe OMV-ja austriake pjesëmarrja e së cilës arrin 51 për qind, ndërsa në vitin 2005 për to ka pagoi vetëm 1,5 miliardë. Vlera e tanishme e Petrom-it vlerësohet në 5,3 miliardë euro.
Shteti rumun është pronar i 21 për qind të pjesëmarrjes, ndërsa 20 për qind shtesë i takojnë fondit investues Proprietatea që është formuar për pagesën e kompensimeve të qytetarëve rumunë për pasurinë e marrë gjatë sundimit të regjimit komunist.
Petrom është grupacioni më i madh i naftës dhe gazit në Evropën lindore dhe disponon me rezerva të konsiderueshme. Gjithashtu, kompania është pronare e gjithsej 540 pompave të benzinës në Rumani dhe 270 në shtetet fqinje si Moldova, Serbia dhe Bullgaria.
Qeveria rumune planifikon që sivjet ti ofrojë në shitje edhe pjesëmarrjet prej 10 për qind në kompaninë për energji bërthamore Nuklearelektrika dhe në kompaninë hidroenergjetike Hidroelektrika, si dhe pjesëmarrjen prej 15 për qind në kompaninë për bartjen e energjisë elektrike Transelektrika, për bartjen e gazit Transgaz dhe prodhuesit të gazit Romagaz.
Kryeministri Emill Bok të shtunën e kaluar deklaroi se qëllimi i këtyre privatizimeve të pjesërishme është konsolidimi i shërimit ekonomik rumun pas recesionit dyvjeçar.