Rubla ruse në rënie pas fjalimit të Presidentit amerikan Joe Biden
Moskë, 18 mars - Rubla ruse ra në vlerën 74 kundrejt dollarit. Gjithashtu ranë edhe bonot e thesarit pasi Presidenti amerikan Joe Biden tha se homologu i tij rus Vladimit Putin do të "paguajë çmimin" e përpjekjeve për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2020-tës. Tregu rus po ndikohet prej muajsh nga rreziku i sanksioneve të reja ndaj Moskës, dhe komentet e fundit i forcuan shqetësimet për ndëshkime të reja.
Rubla ra me 1.4%, në vlerën 73.90 në këmbim të një dollari amerikan, ndërsa pak më parë kishte arritur vlerën 74, në dallim nga 72.53 që arriti të martën, pika më e fortë kjo për gati shtatë muajt e fundit.
Përkundër Euros, rubla u dobësua me 1.4%, në vlerën 87.97, duke iu larguar kështu vlerës së mëparshme prej 86.5150, më e forta që nga muaji gusht.
Shitja e rublës u intensifikua pasi Presidenti Biden u citua nga kanali ABC News të ketë thënë se Putini do të vuajë pasojat për drejtimin e përpjekjeve për t'i dhënë fitoren në zgjedhjet amerikane ish-Presidentit Donald Trump.
Ndikimi gjeopolitik tek rubla mbetet domethënës. Kursi i rublës ishte rreth 61 për një dollar në fillimin e vitit 2020, kur çmimet e karburantit ishin për herë të fundit pranë çmimit të tanishëm, 68 dollarë për fuçi.
"Do të ketë më shumë sanksione; kjo është e qartë. Pyetja është sa të ashpra?", tha Peter Kisler i kompanisë North Asset Management.
Zoti Kisler tha se Uashingtoni mund të vendosë sanksione kundër blerjes së bonove të thesarit OFZ në rubla nga bankat amerikane, drejtpërdrejt nga ministria ruse e financave.
"Do të ishte e mjaftueshme për një rënie të mirë të rublës", tha zoti Kisler, duke parashikuar se banka qendrore ruse do të ndërhynte për të stabilizuar monedhën nëse do të ishte e nevojshme.
Ministri rus i Financave Anton Siluanov tha se do të ishte për të ardhur keq nëse të huajt ndalonin së bleri borxhin e Rusisë, por Moska do të gjente mënyra për të financuar kostot e saj.
Fitimet në bonot 10-vjeçare OFZ të Rusisë, të cilat zhvendosen në të kundërtën e çmimeve të tyre, u rritën në 6.9%, niveli më i lartë që nga prilli 2020, me pritshmërinë tashmë se banka qendrore së shpejti do të fillojë rritjen e normave të interesit.
Një anketim i agjensisë së lajmeve Reuters këtë javë tregoi se banka qendrore pritej ta mbante normën bazë në 4.25% të premten. Por disa analistë, përfshirë huadhënësin më të madh rus Sberbank, tani presin një rritje të normës këtë javë.
Indekset e aksioneve ruse gjithashtu vazhduan të pësojnë humbje pas komenteve të Presidentit Biden.