Rritje rekord e çmimit të arit
New York, 26 prill - Çmimi i arit është ngritur në shifra historike këtë javë, duke arritur në 1 mijë e 500 dollarë për një onc, ose 28.3 gram.
Analistët thonë se dollari i dobët dhe vështirësitë në të cilat ndodhet ekonomia amerikane kohët e fundit kanë çuar në rritjen e çmimit të arit.
Asgjë nuk shkëlqen sikur ari, veçanërisht në një ekonomi të vështirë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në komunitetin e invesitorëve.
Për ata që kërkojnë investime të sigurta, sipas këshilltarit financiar Martin Hennecke, për momentin alternativat janë të kufizuara.
Normalisht bonot e thesarit janë më të sigurta për investime, por ato nuk janë të sigurta më. Ti mbash paratë të painvestuara, nuk ia vlen sepse inflacioni u humbet vlerën. Pra nuk kanë mbetur shumë alternativa. Rrjedhimisht, invesitorët po i drejtohen arit si një alternativë e sugurtë për tu mbrojtur nga inflacioni global.
Ndërkohë që kriza e borxheve në Evropë dhe trazirat në Lindjen e Mesme kanë rritur kërkesat për metalin e çmuar, analistët thonë se pesimizmi për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për pakësimin e borxhit mes ligjvënësve amerikanë ka ndihmuar në rritjen e çmimeve.
Analisti i metaleve të çmuara Leo Larkin i indeksit Standard and Poor nuk sheh ndonjë mundësi për uljen e çmimit të arit.
Pa rritjen e normave të interest afat-shkurtër mbi normën e inflacionit, nuk mendoj se çmimet e metaleve të çmuara do të ulen. Ndoshta një rritje e menjëhershme e vlerës së dollarit amerikan mund të kontribuojë në uljen çmimit të arit. Vetëm këto dy gjëra mund të ulin çmimin e arit.
Çmimi i arit, që zakonisht lëviz në drejtim të kundërt me atë të dollarit, është dyfishuar që nga viti 2008, duke arritur në shifrën e lartë prej 1 mijë e 500 dollarësh për 28.3 gramë.
Sipas disa ekspertëve, shifrat e ulëta të interesit dhe dollari i dobët kanë krijuar kushte të volitshme për investime në ar. Por analisti Roger Nightingale nga firma Pointon York thotë se kjo gjendje nuk mund të vazhdoj pafundësisht.
Amerikanët kanë filluar të shqetësohen rreth politikave të tyre monetare. Besoj se nga fundi i këtij viti, mund të shohim ndryshime, një rivlerësim të pasurive dhe vlera e arit mund të pësojë ulje.
Shumica e mallrave që tregëtohen në bursë kanë përfituar nga dollari i dobët. Kohët e fundit çmimi i argjendit është rritur më shumë se 45 dollarë për 28.3 gram - çmimi më i lartë ky që nga viti 1980.