26 Dhjetor 2024

Rritja e çmimeve të karburantëve në SHBA zemëron shoferët

New York, 2 prill - Çmimet e naftës në nivel botëror janë rritur ndjeshëm gjatë gjashtë muajve të fundit. Kjo ka shqetësuar konsumatorët dhe po vështirëson rritjen ekonomike.

Në Shtetet e Bashkuara te Amerikes, rritja e çmimeve të benzinës është bërë një çështje e debatueshme politike në fushatën presidenciale.

Ekspertët amerikanë sugjerojnë disa mënyra për të ulur çmimet përfshirë përdorimin e rezervave strategjike dhe kufizimin e  spekulimeve në treg.

Rritja e çmimeve të benzinës në SHBA po i zemëron shoferët.

Ekonomisti i lartë i Institutit Amerikan të Naftës, John Felmy, thotë se arsyeja për rritjen e çmimeve të benzinës është rritja e kërkesave për benzinë nga vendet e mëdha në zhvillim.

“Nuk ka dyshim se tani vendet në zhvillim po përdorin më shumë naftë sesa vendet e zhvilluara dhe të gjitha parashikimet tregojnë se kjo prirje do të vazhdojë”.

Për shkak të paqëndrueshmërisë së çmimeve të karburantit  përdoruesit e mëdhenj të energjisë, si kompanitë ajrore, nënshkruajnë kontrata që u japin atyre të drejtën për të blerë karburant me një çmim të caktuar në një datë të caktuar, duke bërë që shpenzimet në të ardhmen të jenë më të sigurta për ta. Invesitorët e tjerë, i blejnë dhe i shesin këto kontrata në kërkim të fitimeve.

Kritikët, si Mark Cooper i Federatës së Konsumatorëve të Amerikës, i quajnë këta invesitorë spekullues dhe thonë se kur ata hedhin  para në këtë treg, ata dëmtojnë konsumatorët, pasi rrisin artificialisht kërkesat e tregut.

“Spekulimet kanë ngritur ndjeshëm çmimin e naftës nga 70 dollarë në mbi 100 dollarë për fuçi”.

Cooper thotë se përmirësimi i ligjeve tatimore do t’i qetësonin tregjet duke  shpërblyer investimet afatgjata, ndërkohë që rregullimi më i mirë këtij tregu mund të kufizojë numrin e kontratave që një spekulues mund të mbajë, dhe mund t’i kufizojë kur ata bëjnë tregëti.

Por ekspertë të tjerë thonë se çmimet janë ngritur si pasojë e tensioneve me Iranin, që lidhen me programin e tij të armëve bërthamore, pasi sanksionet ekonomike ose konflikti ushtarak mund të shkurtojë eksportin e naftës nga ky prodhues i madh.

Mohsin Khan i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, thotë se frika e mungesës së karburanteve luan një rol më të madh se spekulimet në çmimet aktuale të naftës.

Ai thotë se Uashingtoni mund të ndikojë tek çmimet duke nxjerrë në treg sasi nga rezervave strategjike të naftës për të kompensuar mungesat e furnizimit në rast të një konflikti me Iranin.

“Në qoftë se Shtetet e Bashkuara lëshojnë një njoftim se ata do të fillojnë përdorimin e rezervave të naftës, në rast se nafta iraniane hiqet nga tregu, unë besoj se çmimet do të uleshin”.

Çmimet e benzinës në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara kanë arritur në mbi 1,05  dollarë për një litër. Ndonëse  ky çmim është më i ulët se në shumë vende të tjera, rritja e kostos së benzinës është bërë çështje e debatueshme politike. Kjo ndodh për arsye se një familje amerikane përdor mesatarisht 3 mijë litra bezinë në vit dhe shumë votues duan që zyrtarët ta zgjidhin këtë problem. Por ekonomistët thonë se çmimet e naftës përcaktohen në tregun botëror dhe Uashingtoni mund të bëjë shumë pak për t’i ndryshuar ato në një afat të shkurtër.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)